OKB-ja gati për të dërguar ndihma në Gaza, drejtori palestinez: Të hapen të gjitha vendkalimet

Drejtori i Palestinës për Programin Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP), Antoine Renard tha se OKB-ja është e gatshme të dërgojë ndihma në Gaza dhe se të gjitha vendkalimet duhet të hapen pas marrëveshjes për armëpushim.
Marrëveshja mes Hamasit dhe Izraelit thotë se ndihmat humanitare në Gaza do të rriten deri në 600 kamionë në ditë.
“Duke parë arritjen e armëpushimit, ne kemi gjithçka që duhet përmes korridoreve të ndryshme, Egjiptit, Ashdodit në Izrael ose përmes Amanit për të mbuluar nevojat e njerëzve. Jemi në gatishmëri”, tha Renard për CNN.
Shumë pika hyrëse të ndihmave në Gaza janë mbyllur nga autoritetet izraelite, duke përfshirë kalimin në Rafah, i vetmi vendkalim kufitar midis Gazës dhe Egjiptit. Dikur një nga pikat më të mëdha dhe më të rëndësishme të futjes së ndihmave në Gaza, i cili është mbyllur që nga maji i vitit 2024, kur Izraeli e mori nën kontroll.
Pika të tjera hyrëse të ndihmës kanë qenë të hapura me akses të kufizuar.
Sipas të dhënave nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, vetëm 614 kamionë me ndihma hynë në Gaza nga 1 janari deri më 13 janar, data e fundit që agjencia ka regjistruar.
Renard tha se marrëveshja e armëpushimit ishte “një mesazh shprese” për banorët e Gazës. Ai shtoi se WFP nuk po i bënte thirrje vetëm Izraelit që të hapte të gjitha pikat e kalimit të ndihmës, por edhe donatorëve të tij ndërkombëtarë.
“Sfida më e madhe për të futur ndihma në Gaza në tre muajt e fundit ka qenë grabitja nga bandat kriminale”, përfundoi Renard.