Gjermania kundërshton objektivin prej 5 për qind të Trumpit për shpenzimet e mbrojtjes të NATO-s
Gjermania ka hedhur poshtë përpjekjet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për t’u bërë presion anëtarëve të NATO-s që të shpenzojnë 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, respektivisht më shumë se dyfishi i objektivit aktual të shpenzimeve të paktit ushtarak, transmeton Anadolu.
“Ajo që po propozon Donald Trump është joreale. Ne nuk do të arrijmë në 5 për qind”, tha zv/kancelari Robert Habeck. Objektivi i përbashkët i NATO-s aktualisht është 2 për qind.
Habeck përsëriti nxitjen e tij për një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes në 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, duke theksuar se “3.5 për qind është afërsisht ajo që po diskutohet aktualisht në NATO si një objektiv afatmesëm”.
Ai tha se situata e ndryshuar e sigurisë kërkon që Evropa të bëjë më shumë për sigurinë e saj.
Objektivi aktual i NATO-s parashikon që vendet anëtare të aleancës të investojnë të paktën 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të tyre në mbrojtje.
Sipas shifrave të fundit të NATO-s, qeveria gjermane këtë vit ka raportuar shpenzime të mbrojtjes prej rreth 90.6 miliardë euro për aleancën. Sipas vlerësimeve, kjo mund të korrespondojë me një pjesë të prodhimit të brendshëm bruto prej rreth 2.1 për qind.
Përveç SHBA-së, vetëm katër nga 32 vendet e NATO-s me gjasë kanë arritur një shenjë prej 3 për qind në vitin 2023.
Gjermania aktualisht po përmbush objektivin e NATO-s me fondin e posaçëm prej 100 miliardë eurosh për ushtrinë e vendit, i cili financohet përmes borxhit. Paratë nga ky fond i posaçëm pritet të shpenzohen deri në fund të vitit 2027.