VLEN: Kazinomani Artan Grubi doli nga arresti shtëpiak, por është larg të qenit njeri i lirë

Partia VLEN ka reaguar pas ndryshimit të masës së arrestit ndaj Artan Grubit, duke deklaruar se ish-zëvendëskryeministri, pavarësisht daljes nga arresti shtëpiak, vazhdon të përballet me procedura gjyqësore dhe kufizime në lëvizje. Në reagimin e saj, VLEN ka drejtuar kritika të ashpra edhe ndaj BDI-së dhe ish-zyrtarëve të saj.
“Kazinomani Artan Grubi doli nga arresti shtëpiak, por është larg të qenit njeri i lirë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas partisë, Grubi vazhdon të ketë një aktakuzë dhe, pavarësisht ndryshimit të masës së sigurisë, do të duhet të përballet me proceset gjyqësore.
VLEN thekson se ndryshimi i masës së arrestit erdhi pas skadimit të afatit maksimal për vazhdimin e saj. Sipas reagimit, Grubi do të mund të lëvizë vetëm brenda Shkupit dhe do të duhet të paraqitet rregullisht në gjykatë, ndërsa për masën më të lehtë është dhënë garanci prej 350 mijë eurosh.
Në reagim, VLEN kritikon edhe qëndrimet e funksionarëve të BDI-së ndaj Grubit, duke përmendur Bujar Osmanin dhe Ali Ahmetin.
“Simptomatike është mungesa e pishtarit të Ali Ahmetit, i cili disa herë, përmes deklaratave, u përpoq më kot ta shiste si meritë të vetën zëvendësimin e arrestit shtëpiak me masa më të lehta për ish-bashkëpunëtorin e tij më të afërt”, thuhet në reagim.
VLEN ngre gjithashtu pyetjen nëse Grubi mund të ketë rol në përçarjen e BDI-së, duke shkruar: “Mos vallë Artan Grubi ka marrë detyrë ta çajë BDI-në më dysh?”
Nga VLEN deklarojnë se rikthimi i Grubit në skenën politike mund t’ia vështirësojë BDI-së reformimin e kuadrove.
“Për sa kohë është i lirë dhe ia vështirëson edhe më shumë BDI-së reformën e domosdoshme të kuadrove, për ne nuk ka garanci më të mirë e më të fortë për fitoren e VLEN-it në çfarëdo zgjedhjesh”, përfundon reagimi i partisë.



