(VIDEO) Konsulli i nderit i Bjellorusisë, Borçe Markovski, nën hetim për tenderë të dyshimtë
Biznesmeni Borçe Markovski është nën hetim për tenderë të dyshimtë në REK Bitola.
Konsulli i nderit i Bjellorusisë, Borçe Markovski, është nën hetim për tenderë të dyshimtë në REK Bitola. Megjithatë, Radio Evropa e Lirë zbulon se ai ka një kompani edhe në Serbi, e cila rregullisht fiton tenderë nga pyjet shtetërore. Për të marrë postin e konsullit, ai ka bashkëpunuar me kompani bjelloruse, të cilat janë nën sanksione nga SHBA për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Lukashenkon.
Një hetim për tenderët e Markovskit ishte bërë edhe në vitin 2021 nga gazeta lider.mk. Hetimi zbuloi se klienti më i madh i kompanisë së Markovskit është SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut, nga ku ai merr shumicën e të ardhurave për punët e kryera në REK Bitola.
Analiza e gazetës “Lider” tregon se nga viti 2013 deri më 2021, kjo kompani ka nënshkruar gjithsej 79 kontrata për furnizime publike, me një vlerë mesatare prej 1.088.367 euro. Vetëm gjatë vitit 2020, kompania ka nënshkruar 16 kontrata me një vlerë mesatare prej 471.872 euro, duke fituar gjithsej tenderë në vlerë prej 7.549.956 euro.
Përveçse biznesmen, Borçe Markovski është edhe diplomat; ai është konsull nderi i Bjellorusisë në RMV.
Përndryshe, Bjellorusia është prej kohësh e njohur nga komuniteti ndërkombëtar si një shtet me regjim totalitar të instaluar nga presidenti Aleksandër Lukashenko.