Trampi do ta okupojë edhe Grenlandën

Kryeministri i zgjedhur i Grenlandës, Mute Edege, tha të hënën se vendi i tij nuk është në shitje, duke iu kundërpërgjigjur komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në ludhje me “pronësinë dhe kontrollin” e ishullit të madh të Arktikut që ka qenë pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.

“Grenlanda është e jona. Ne nuk jemi për shitje as kurrë nuk do të jemi në shitje. Nuk duhet ta humbim përpjekjen tonë të gjatë për liri” – tha kryeministri Mute Egede në një deklaratë me shkrim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi të dielën njoftoi se e kishte zgjedhur Ken Howery-n, ish-ambasador në Suedi, për ambasador në Danimarkë, dhe e komentoi statusin e Grenlandës, pjesë gjysmautonome e Danimarkës dhe vendi ku ndodhet një bazë e madhe ajrore amerikane.

“Për qëllime të sigurisë kombëtare dhe lirisë në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndiejnë se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës janë nevojë absolute” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”. Ai nuk hyri në hollësi.
Ministria e Jashtme e Danimarkës dhe zyra e kryeministres nuk qenë menjëherë të qasshme për koment.

Qeveria e Danimarkës duket të deklarojë në terma të qartë se kontrolli i Grenlandës nuk është për diskutim ose negocim, tha deputeti Rasmus Jarlov nga Partia Konservatore në opozitë.

“Në nivelin që aktivitetet e ShBA-së synojnë ta kontrollojnë territorin danez, kjo duhet të ndalohet dhe të kundërshtohet. Pastaj ata nuk mund të jenë atje fare” – tha Jarlovi, i cili e drejton Komisionin parlamentar të Mbrojtjes.

Grenlanda, kryeqyteti Nuuk i të cilës ndodhet më afër Nju-Jorkut se Kopenhagës, mburret me pasuri minerale, naftë e gaz natyror. Sidoqoftë, zhvillimi ka qenë i ngadalshëm, duke e lënë ekonominë të varur nga peshkimi dhe subvencionet vjetore nga Danimarka.

Për shkak të bazës ajrore “Pituffik”, Grenlanda ka rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe sistemin e saj për paralajmërim të hershëm për raketa balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa drejt Amerikës së Veriut kalon nëpër ishullin gjigant.

Gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi më 2019 kishte shprehur interesim për ta blerë Grenlandën, por propozimi ishte kundërshtuar shpejt nga Danimarka si dhe nga vetë autoritetet e ishullit para se të mund të zhvillohej ndonjë diskutim formal për këtë çështje.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e kishte quajtur “absurde” atë kohë ofertën e presidentit amerikan, i cili më pas e kishte anuluar vizitën në Kopenhagë./Nacionale/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button