Pushi i pushtetarëve

Shkruan: Iljasa Salihu

Lista e zezë amerikane është një grup emrash i njerëzve, organizatave ose entiteteve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ndaluar ose kufizuar për shkak të veprimtarive të tyre të jashtëligjshme ose të dëmshme. Këto veprimtari mund të përfshijnë korrupsionin, shkeljen e të drejtave të njeriut, terrorizmin, trafikimin e drogës dhe të armëve, krimet kibernetike dhe përgjithësisht përfshirjen në veprimtari që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së. Fuqia e kësaj liste është me ndikim të madh. Të gjitha mekanizmat ligjor të një vendi përnjëherë mund t’i vë në lëvizje, madje edhe ato mekanizma që prej kohësh mund t’i ketë kapur ndryshku i korrupsionit. Problem është të mos pajtohesh me këtë vendim, sikurse rëndom siç mund të mos pajtohesh me ndonjë vendim gjyqësor. Fal kësaj liste, sidomos kur bëhet fjalë për korrupsion, shumë jaka të bardha nxihen turpshëm. Nuk merr guxim askush të të mbrojë po të doli emri në këtë listë, sidomos për korrupsion. Madje edhe gruaja më naive do të bindet se bashkëshorti i saj është një hajdut! Edhe bashkëpunëtorët më të afërm lëre që nuk ta zgjasin krahun e ndihmës, ata janë në gjendje të bëjnë çmos vetëm e vetëm të mos njësohen me ty. Edhe hija të humb duke u fshehur skutave të ngushta, që nuk përshkohen nga dielli. Përmes kësaj liste, përpos që lirohet një pore e rëndësishme e shoqërisë, po ashtu jepet edhe një porosi e thellë për të tjerët, të cilët pushtetin e mendojnë si push të përjetshëm, si mburojë që nuk kalbet kurrë.
Tanimë kjo listë u freskua dhe u përditësua me Artan Grubin, njeri për të cilin kreu i BDI-së i dha edhe shokët më të ngushtë. Artanin assesi nuk e jepte, kurse Artani sillej sikur dielli dhe gjitha planetet tjera të silleshin rreth tij. Gjithkund ishte i pranishëm. Edhe tallkin i këndonte atij që sot gjendet me detyrë zyrtare në Amerikë. Në çdo takim të Ahmetit ishte edhe Grubi, thuajse dikush e kishte deleguar t’i bëhej hije dhe roje Ahmetit, të cilin pak e kapte dielli, ngaqë i mungonte dalja në terren. Grubi nuk përtonte të thurte lavde nga më të lartat për Ahmetin, madje shprehej se asgjë nuk vepronte pa dijeninë dhe lejen e Ahmetit. Njëri për tjetrin ishin bërë mish e thua. Madje kishte zëra se Grubi përgatitej për pasardhës të Ahmetit, apo si zëvendësues i të pazëvendësueshmit, edhe pse veprimtaria dhe mendësia e Grubit me të Ahmetit nuk lidhej fare. As nuk ishte bashkëudhëtar i ilegales, as i luftës, as i hapave të para si politikan, mirëpo habitshëm në dekadën e fundit ishin bërë asht e afsh njëri me tjetrin. Megjithatë, lista e zezë i ndau, përmes së cilës u qortua macja që të merr mësim gruaja apo burri! Papandehur, përmes të zezës në të bardhë morëm lajmin për të bardhën në të zezë. Kjo ta kujton atë thëënien se nësë dhjetë veta të thonë se je i dehur, pavarësisht se ti mund të jesh në rregull, sërish duhet ta gjesh aty afër ndonjë shtyllë a shkop që të mbahesh. Flokëthinjurit prej kohësh i jepeshin kritika për të bardhën në të zezë, ai desh i bëri kurban edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë vetëm për mos ta dhënë të bardhën në të zezë. Tani mund ta jep, por shumë vonë, ngaqë njeriu nuk mund të jap diçka kur tashmë ia kanë marrë. Tani është vonë, por jo edhe aq vonë sa për ta kuptuar se pse kjo parti me çdo kusht e dëshironte pushtetin. Pushi i pushtetit i mbante të ngrohtë e të mbrojtur. Tani atë ia hoqën. Ia hoqën edhe atë që shihej si shtyllë dhe si pasardhës që logjikisht nuk mund të kishte vepruar kokë më vete. Me ç’rast, BDI-ja mori goditjen më të fuqishme që kishte marrë ndonjëherë, sepse kjo goditje i jepet në një kohë shumë të ndjeshme; pra në kohën kur i mungon pushi i pushtetit. Jo rastësisht thuhet se po mbete pak pa pushtet, të godasin aq fortë, saqë duke u marrë me pasojat e goditjes do ta harrosh krejtësisht mundësinë e ardhjes sërish në pushtet.
Përfundimisht, janë lajme të mira lajmet për luftimin e korrupsionit, për aq kohë sa peshorja e drejtësisë nuk i matë krimet në baza etnike, sepse s’do mend se humbës do të dalin shqiptarët, natyrisht duke u mbështetur në përvojat e së kaluarës. Si rrjedhojë e pranisë së krimit financiar dhe ekonomik, sot thithim ajër të ndotur. Sëmuremi lehtësisht për shkak të jetesës së keqe. Shkojmë nëpër spitale dhe aty nuk trajtohemi mirë. Korrupsioni dhe padrejtësia na bëhen të detyrueshme. Një punë është vështirë ta kryejmë pa e përdorur kartën e ndërmjetësimit. Duhet ta njohësh dikë për ta kryer një punë a për ta marrë një shërbim që ligjërisht të takon. Zhgënjehesh kur sheh se si për një kohë të shkurtër njerëz të caktuar marramendësisht pasurohen. Sikur të krijohet një ndjenjë paaftësie! Krejt këtë pasqyrë të zymtë e krijojnë të korruptuarit në shpirt dhe në kuletë. Prandaj, kur dëgjoj dhe shoh se të dyshuarit për korrupsion dhe krim ekonomik po prangosen, gëzohem siç gëzohen fëmijët kur bie borë. Bora pastron ajrin, mbulon mbeturinat e hedhura dhe mundëson rrëshqitjen e lezetshme të fëmijëve dhe të rriturve. Bora nxitë kërkimin e pushit, por në kësi lloj periudhash ai nuk i jepet të ndoturve në shpirt dhe në kuletë.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button