Orban: Bota perëndimore do të ndryshojë pasi Trumpi ta marrë detyrën

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka theksuar se bota perëndimore do të ndryshojë sapo presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpi, ta marrë detyrën më 20 janar.

Në një intervistë për transmetuesin shtetëror të Hungarisë të premten, Orban ka thënë se bota “po përballet me një kohë të rrezikshme”, duke theksuar problemet politike në Francë dhe Gjermani, si dhe situatën në Siri, raporton AP.

Por ai shtoi se “ujëra më të qeta” e presin botën pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së ta marrë detyrën në janar, duke thënë se “do të ketë ndryshime në çështjet më të rëndësishme”.

“Sapo presidenti amerikan ta marrë detyrën, një kthesë do të ndodhë në të gjithë botën perëndimore. Do të ketë ndryshime në çështjet më të rëndësishme dhe këto do të arrijnë në kontinentin evropian. Dhe këto ndryshime do të jenë të mira për ne”, ka thënë ai.

Orban, figurë udhëheqëse e së djathtës ekstreme në Evropë, ka pasur prej kohësh lidhje të ngushta me Trumpin dhe është lideri i parë i BE-së që mbështeti publikisht republikanin gjatë fushatës për president.

Kryeministri hungarez ka këmbëngulur vazhdimisht se Trumpi pasi të zgjidhej president do t’i jepte fund luftës në Ukrainë dhe e ka cilësuar konfliktin si një luftë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button