Siri, në xhaminë “Umayyad” të Damaskut u fal namazi i parë i xhumasë, pas rënies së regjimit Baath
Pas përmbysjes së regjimit Baath në Siri, mijëra besimtarë falën namazin e parë të xhumasë në xhaminë “Umayyad” në kryeqytetin Damask, raporton Anadolu.
Mijëra njerëz në Damask përjetuan emocionin e faljes së namazit të parë të xhumasë në xhaminë “Umayyad” pas përmbysjes së regjimit 61-vjeçar Baath dhe sundimit të familjes Asad.
Qytetarët e ardhur në kryeqytet nga i gjithë vendi u dyndën drejt xhamisë historike e cila u bë qendra e festimeve. Besimtarët u rreshtuan dhe u lutën së bashku gjatë namazit të xhumasë.
E vendosur në qendër të kryeqytetit dhe e njohur si “Xhamia e Madhe e Damaskut”, xhamia “Umayyad” konsiderohet si një nga xhamitë më të mëdha dhe më të vjetra në botë.
– Zhvillimet në Siri
Më 27 nëntor në Siri u intensifikuan përleshjet midis grupeve të armatosura kundër regjimit dhe forcave të Bashar al-Asadit. Midis 30 nëntorit dhe 7 dhjetorit, grupet fituan dominim në provincat më të mëdha si Halep, Idlib, Hama dhe Homs.
Regjimi humbi plotësisht kontrollin në Damask dhe shumë rajone të tjera dhe u rrëzua edhe me mbështetjen masive të popullit për grupet që filluan të hyjnë në Damask më 7 dhjetor.
Ndërsa sundimit 61-vjeçar të partisë Baath i erdhi fundi, udhëheqësi i regjimit, Asadi u largua nga Siria dhe tani ndodhet në Moskë, Rusi.
Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) në ditën e parë të operacionit “Agimi i Lirisë” çliroi nga organizata terroriste PKK/YPG qendrën e rajonit Tel Rifat.
Në operacion, me çlirimin edhe të rajonit Munbixh u pastrua nga organizata terroriste PKK/YPG zona e cila ishte kthyer në folenë më të madhe të terrorit në perëndim të lumit Eufrat.