Dështon mocioni për shkarkimin e presidentit të Koresë së Jugut

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i mbijetoi sot mocionit të shkarkimit (impiçment) për shkak të përpjekjes së tij të dështuar në fillim të kësaj jave për të vendosur ligjin ushtarak, transmeton Anadolu.
Mocioni për shkarkimin e tij nga detyra u paraqit nga gjashtë parti opozitare, duke përfshirë Partinë Demokratike kryesore të opozitës, por ai dështoi pasi parlamenti nuk arriti një kuorum minimal prej 200 ligjvënësish.
Për të kaluar, mocioni i shkarkimit kishte nevojë për mbështetjen e të paktën tetë ligjvënësve nga Partia e Fuqisë Popullore (PPP) të Yoonit për të arritur pragun minimal prej 200 deputetësh në parlamentin me 300 vende. Në fund, votuan vetëm tre.
Pa kuorumin e kërkuar, mocioni i shkarkimit u anulua.
Aktualisht, partitë opozitare gëzojnë mbështetjen e 192 ligjvënësve, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit. Megjithatë, nga 190 ligjvënës që votuan kundër dekretit të Yoonit për ligjin ushtarak gjatë një sesioni urgjent parlamentar gjatë natës të martën, 18 ishin nga PPP-ja.
– Mocioni për hetim ndaj zonjës së parë gjithashtu dështoi
Më herët, ligjvënësit në pushtet të PPP-së u larguan nga parlamenti përpara votimit të shkarkimit, pasi morën pjesë në një votim të veçantë që hodhi poshtë një hetim ndaj zonjës së parë Kim Keon Hee.
Mocioni i opozitës për Kimin dështoi me dy vota, me 198 ligjvënës që mbështetën masën, duke përfshirë gjashtë nga partia në pushtet. Megjithatë, ai nuk arriti pragun e kërkuar prej 200 votash për miratim.
Blloku i opozitës protestoi dhe hodhi slogane kur ligjvënësit e PPP-së në pushtet u larguan nga parlamenti pas votimit për Kimin.
Kryetari i parlamentit Woo Won-shik u bëri thirrje ligjvënësve të partisë në pushtet që të kthehen në seancë dhe të hedhin votat e tyre për mocionin e shkarkimit, por pa rezultat.
Yoon, 63 vjeç, i kërkoi falje kombit për përpjekjen e tij të dështuar në fillim të kësaj jave për të zbatuar ligjin ushtarak dhe tha se nuk do të përpiqej ta përsëriste një hap të tillë.
Yoon u zgjodh në vitin 2022 për një mandat pesëvjeçar i cili do të përfundojë në vitin 2027.
Ai vendosi ligjin ushtarak të martën vonë, por u tërhoq brenda gjashtë orëve.
Paralelisht, ministri në detyrë i Mbrojtjes Kim Seon-ho u takua me komandantët e lartë dhe u tha atyre që të ruanin gatishmërinë emergjente përpara votimit të shkarkimit.
Grupe të mëdha koreanojugorësh u mblodhën sot para parlamentit përpara votimit që kërkonte largimin e Yoonit nga detyra.
Grupe qytetare, grupe të punës dhe studentë mbajtën një seri mitingjesh për shkarkimin e presidentit në zona të ndryshme në kryeqytetin Seul pranë parlamentit, njoftoi transmetuesi KBS.
Një person u ndalua nga policia pasi tentoi të vetëdigjej.



