Biden: Vullneti i popullit ngadhënjen gjithnjë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ai dhe administrata e tij do të mundësojnë kalim paqësor të pushtetit te Donald Trumpi që fitoi zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Për dallim nga Trumpi që katër vjet më parë bojkotoi betimin e Bidenit si president, presidenti aktual ka thënë se udhëheqësit duhet të pranojnë zgjedhjen e popullit.

“Jemi në demokraci. Vullneti i popullit ngadhënjen gjithnjë”, ka thënë ai në një fjalim të enjten nga Shtëpia e Bardhë.

Bideni ka konfirmuar se ka folur me presidentin e zgjedhur për t’ia uruar fitoren.

“E kam siguruar se nën urdhrin tim, e gjithë administrata ime do të punojë me ekipin e tij për kalim të qetë dhe të duhur të pushtetit. Kjo është ajo që e meriton populli amerikan”, ka thënë tutje Bideni.

Presidenti, i cili fillimisht synoi mandatin e dytë, por u tërhoq nga gara pasi humbi debatin me Trumpin, ka lavdëruar zëvendëspresidenten Kamala Harris që humbi në zgjedhje.

Bideni më pas ka thënë se për dikë tani është periudhë fitoreje e për dikë humbjeje.

“Një shtet e zgjedh njërin apo tjetrin. Ne e pranojmë zgjedhjen që e ka bërë shteti. Nuk mund ta duash shtetin vetëm kur fiton. Nuk mund t’i duash fqinjët vetëm kur pajtohesh me ta”, ka thënë Bideni. “Zgjedhjet ishin fer dhe transparente. Duhet t’u besojmë, fitore a humbje”.

Bideni e ka cilësuar presidencën e tij historike. “Po largohemi, duke lënë këtu ekonominë më të fuqishme të botës”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka porositur mbështetësit e tij të kenë besim.

“Do të jemi mirë, por duhet të jemi të angazhuar. Duhet të ruajmë besimin. Zoti ju bekoftë juve të gjithëve dhe Amerikën”, përfundoi ai fjalimin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button