Në sulmet izraelite në Khan Younis vriten 38 palestinezë, përfshirë 10 fëmijë
Në sulmin që ushtria izraelite kreu në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, humbën jetën 38 palestinezë, mes të cilëve 10 fëmijë, raporton Anadolu.
Dëshmitarët okularë në deklaratën për AA thanë se ushtria izraelite shënjestroi shtëpinë që i përket familjes “Al-Fera” në Khan Younis dhe se shumë njerëz u vranë dhe u plagosën nga sulmi.
Dëshmitarët thanë se avionët luftarakë izraelitë dhe njësitë e artilerisë shënjestruan lagjet Al-Manara, Maan, Al-Sheikh Nasser, Giyzan al-Najjar në jug të qytetit dhe për këtë arsye, qindra familje palestineze u zhvendosën në perëndim të Khan Younis.
Ushtria izraelite kreu sulme të kufizuara tokësore në rajonet lindore të qytetit gjatë natës, thanë dëshmitarët duke shtuar se paralelisht me këtë u kryen edhe sulme ajrore. Dëshmitarët nënvizuan se ushtria izraelite shkaktoi dëme serioze në shtëpitë dhe pronat e palestinezëve në zonën ku hyri nga toka.
Në deklaratën nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se të paktën 38 palestinezë u vranë ndërsa shumë të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë janë plagosur në sulmet izraelite ndaj Khan Younis.
Burime shëndetësore nga Khan Younus në një deklaratë për AA theksuan se trupat e 10 fëmijëve u sollën në spitalet “Nasser” dhe “Gaza-Europe” për shkak të sulmeve intensive të ushtrisë izraelite në lagjet në pjesët lindore dhe jugore të qytetit.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 42.847 palestinezë, përfshirë rreth 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra, ndërsa 100.544 të tjerë u plagosën. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.