“Fridrih Ebert”: 42,67 për qind e të rinjve në RMV do të largoheshin nga vendi
Të rinjtë në Maqedoni të Veriut më së shumti nga të gjitha shtetet në Evropën Juglindore shprehën dëshirl për t’u larguar nga vendi për shkak të standardit të keq social, jetësor dhe kushteve. Hulumtimi i Fondacionit “Fridrih Ebert” ka treguar 42,67 për qind e të rinjve në vend dëshirojnë të emigrojnë jashtë vendit.
E dyta në rajon është Shqipëria, ku 36,95 për qind e të rinjve do të donin të largoheshin jashtë vendit, e më pas radhiten Greqia me 31,26 për qind, Bosnja e Hercegovina me 31,18, Kosova me 27,83 për qind, Serbia dhe Sllovenia me 25 për qind, në Kroaci ajo përqindje është 21,26, ndërsa në Mal të Zi 2,59.
Të rinjtë në Bullgari dhe në Rumani, sipas hulumtimit, treguan dëshirën më të vogël për emigrim.
Motivi më i shpeshtë i të rinjve për emigrim nga vendet amë janë faktorët ekonomik dhe mundësitë.
“Mbi dy të tretat (67,13 për qind) nga të anketuarit e cekën përparimin financiar dhe profesional si shkaqe të emigrimit. Dëshira për përmirësim të standardit jetësor ceket si motiv primar për 27,78 për qind e të anketuarve… Mundësi më të mira për punësim (11,44 për qind) dhe më shumë mundësi për arsim (shtatë për qind) janë shkaqet e tjera për të cilat të rinjtë vendosin ta braktisin vendin…”, ceket në hulumtim.
Për 62 për qind e të anketuarve, korrupsioni është problemi më i madh me të cilin do të përballen vendet e tyre në dekadën e ardhshme, e më pas pasojnë papunësia dhe emigracioni. Të rinjtë shpesh për herë të parë përballen me korrupsion në sistemin arsimor, madje 61 për qind e të anketuarve konsiderojnë se mund të blejnë nota dhe provime në universitetet në vendet e tyre.
Sipas hulumtimit, gratë tregojnë dëshirë më të madhe për ta përmirësuar standardin e vet të jetës (29,97 për qind) dhe vendosin theks më të madh në mujndësitë për arsim (8,46 për qind). Burrat, ndërkaq janë të shqetësuar për korrupsionin dhe klientelizmin në shtet.
Besimi në demokracinë si sistem politik, siç ceket, bie në tërë rajonin, por të rinjtë ende në masë të madhe i mbështesin vlerat demokratike.
Megjithatë, të rinjtë të cilët jetojnë në vende të cilat nuk janë anëtare të BE-së tregojnë jehonë më të madhe kur bëhet fjalë për votimet në zgjedhje.
“Anëtarësimi i mundshëm në BE ende shkakton optimizëm në vendet e rajonit të cilat nuk janë anëtare, ndërsa shumë të rinj e ndërlidhin BE-në me të ardhmen më të mirë. Përkundër kësaj, të rinjtë në vendet e BE-së mbeten gjithnjë e më pesimistë kur bëhet fjalë për gjendjen momentale ekonomike dhe tregun e punës në vendet e tyre”, theksojnë nga “Fridrih Ebert”.
Siç shkruan në hulumtim, nëse Evropa Juglindore dëshiron të arrijë përparim të konsiderueshëm ekonomik, “do të duhet të ketë kujdes në votën dhe zgjehdjen e të rinjve të cilët janë kyç në të”.
Rezultatet sugjerojnë edhe se faktorët specifik për një vend, siç janë kushtet ekonomike, stabiliteti politik dhe kushtet sociale, luajnë rol kyç në formësimin e qëllimeve për emigracion të individëve të rinj.
Hulumtimi është kryer në ekzemplar prej 8.943 të rinjve nga Evropa Juglindore, në moshë prej 14 deri 29 vjeç dhe tregoi se 23 për qind prej tyre rrogën më të mirë e shohin si një prej shkaqeve kryesore për shpërngulje nga vendi.