Gjykata e Lartë e Brazilit heq pezullimin ndaj platformës X, Elon Musk përmbush kushtet

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, vendosi të martën të lejojë platformën e medias sociale X të rifillojë funksionimin në vend pasi ka përmbushur detyrimet e saj ligjore, duke përfshirë pagesën e gjobave, transmeton Anadolu.
Beteja ligjore mes kompanisë së miliarderit Elon Musk dhe qeverisë braziliane mori fund zyrtarisht pasi ajo përfundoi pagesën e 28,6 milionë realëve brazilian (5,16 milionë dollarë) dhe përmbushi detyrimet e tjera ligjore të përshkruara nga gjykata.
“Dekretoj përfundimin e pezullimit dhe autorizoj rifillimin e menjëhershëm të aktivitetit të ‘X Brasil Internet Ltda’ brenda territorit kombëtar. Gjithashtu, udhëzoj Anatel (Agjencia Kombëtare e Telekomunikacionit) të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e kësaj mase, me një raportim në këtë Gjykatë të Lartë brenda 24 orëve”, tha Moraes në vendimin e tij.
Përveç gjobave, kompania duhej të ndalonte llogaritë e nëntë personave nën hetim për krime kundër demokracisë braziliane dhe të emëronte një përfaqësues ligjor në Brazil.
Shërbimet e X-it ishin pezulluar në Brazil që nga 30 gushti pasi Moraes vendosi se kompania kishte shkelur statutet ligjore të vendosura ndaj saj.
Ato përfshinin një kërkesë për të ndaluar llogaritë e përdoruesve të akuzuar për përhapjen e dezinformatave dhe mesazheve të urrejtjes në kontekstin e zgjedhjes së presidentit Luis Inacio Lula da Silva, e cila u kundërshtua ashpër nga ish-presidenti Jair Bolsonaro dhe ndjekësit e tij.
Musk kishte dënuar veprimet e Moraesit përmes llogarisë së tij në X.
“Fjala e lirë është themeli i demokracisë dhe një pseudogjyqtar i pazgjedhur në Brazil po e shkatërron atë për qëllime politike” ishte shprehur ai.