Dje Konti, sot Grok: Menaxherët e skemave piramidale nuk mbajnë përgjegjësi

Martin Stojanov është një djalosh 24 vjeçar nga Radovishi, profesor i edukimit fizik, i cili është një nga administratorët e parë të skemës piramidale “Konti” në vendin tonë, ndërsa tani, pas shuarjes së saj, ai menaxhon një aplikacion të ri të quajtur “Grok”. Nga dje e deri më sot në grupin në rrjetin social Telegram janë mbledhur mbi 1.000 përdorues, të cilët investojnë para edhe pse ekziston rreziku për t’i humbur, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Skema” përsëri është e njëjtë – instalohet një aplikacion, klikohen pëlqime për filma, investohen para, ndërsa ka edhe paketa të ndryshme. Por fitimet nuk vijnë nga “klikimet”, por nga rekrutimi i anëtarëve të rinj. Sa më lartë të jeni në piramidë, aq më e madhe është mundësia për të fituar.

Foto Printscreen, Grok. Foto nga Meta.mk
Foto Printscreen, Grok. Foto nga Meta.mk

Një pjesë e atyre që humbën para nga “Konti” tani shpëtim kërkojnë në platformën e re. Dhe jo vetëm në atë. Në një bisedë për Meta.mk Stojanov pohoi se për momentin ka 13 aplikacione të tilla të ngjashme që funksionojnë përmes një skeme piramidale.

“Edhe pse jam djegur nga “Konti”, sërish dua të investoj në paketën prej 800 dollarësh me shpresë se do të kthej diçka”, shkruan në Telegram një nga përdoruesit e rinj potencialë të “Grok”.

Për Meta.mk Stojanov thotë se nuk ndjen asnjë përgjegjësi për faktin se një numër i madh i njerëzve tashmë kanë humbur me mijëra euro përmes platformës për fitime të shpejta “Konti”.

“Unë i paralajmërova njerëzit se “Konti” do shuhej, nga 14.000 njerëz vetëm 2.000 më dëgjuan. Ata tani presin një shans të ri nga unë”, thotë Stojanov, duke shtuar se “çdo gjë është në rrezikun e tyre, sepse nesër mund të shuhet edhe ky aplikacioni i ri”.

Foto Printscreen, Telegram. Foto nga Meta.mk
Foto Printscreen, Telegram. Foto nga Meta.mk

Në pyetjen nëse ai e dinte që “Konti” do të shuhej, Stojanov u përgjigj se ka dhjetë vjet që merret me këto skema piramidale dhe se e dinte shumë mirë se si funksionojnë ato.

Për skemën “Konti” është njoftuar nga Sllovenia, nga ish e dashura e tij, e cila i është bashkëngjitur këtij aplikacioni në dhjetor të vitit 2023. Mbi të ka pasur një shefe, ndërsa menaxhere kryesore ka qenë një Angella, për të cilën askush nuk e di se kush është.

“Ne asnjëherë nuk e pamë, e as nuk biseduam ndonjëherë në telefon me të. Ajo komunikonte me ne vetëm përmes Telegramit. Nuk dinim asgjë për të, as se nga vjen ajo”, tha Stojanov.

Me qenë se ai së bashku me një person tjetër nga Kavadari, Aleksandar Dimkov, janë të parët që hyjnë në skemë, “Konti” fillimisht fillon të përhapet në Radovish dhe Kavadar, e më pas edhe në Veles.

Siç shpjegon Stojanov, në llogarinë e tij Binance (një platformë për tregtimin e kriptovalutave) çdo javë i janë derdhur nga 2.000 dollarë si pagë, ndërsa në ndërkohë skema piramidale është rritur dhe ka arrirë në 14.000 anëtarë.

“Edhe policia nga Radovishi ishte anëtarësuar në “Konti””, thotë Stojanov.

Si përparon “biznesi” ashtu administratorët kryesorë marrin gjithnjë e më shumë para, por edhe privilegje.

Aleksandar Dimkov e hapi info qendrën e parë “Konti” në Kavadar me një investim monetar prej 10.000 euro, ndërsa në gusht të këtij viti Stojanov hapi info qendrën në Radovish me një investim monetar prej 5.000 euro.

Ekstrakt nga Regjistri Qendror në lidhje me Kontin. Foto nga Meta
Ekstrakt nga Regjistri Qendror në lidhje me Kontin. Foto nga Meta

Stojanov na dërgoi edhe video se si është e pajisur zyra e re. Logoja e “Konti” ende qëndron, por thotë se tani thjesht do t’i heqë reklamat dhe do të vendosë të reja për aplikacionin e ri.

Në pyetjen tonë nëse ka frikë se mund të përgjigjet ndonjëherë për të gjitha këto, ai u përgjigj me vetëbesim:

“Njerëzit më kërkojnë vetë. Ja, pres që dikush të më denoncojë në MPB, por askush nuk denoncon. Njerëzit vijnë tek unë, unë nuk shkoj te njerëzit, ata pyesin dhe vetë i hyjnë kësaj pune. Është e rëndësishme të dish kur të investosh, sa të investosh dhe të dish kur të tërhiqesh”, thotë ai.

Stojanov thotë se nuk e di se sa do të zgjasë skema e re piramidale dhe nëse edhe ajo  mund të shuhet së shpejti e të marrë të gjitha paratë e investuara të qytetarëve.

“Nuk e di, për momentin jam duke hulumtuar, duke shqyrtuar mijëra llogari”, thotë Stojanov.

Dimkov: Po marr kërcënime pas rënies së “Konti”-t, u bëj thirrje njerëzve të mos investojnë

Për dallim nga Stojanov, menaxheri i “Konti”-t nga Kavadari, Aleksandar Dimkov, në një bisedë për Meta.mk i paralajmëron njerëzit që të mos u futen skemave piramidale të këtij lloji.

“Unë kisha një kontratë njëvjeçare me “Konti”-n dhe plani ishte që të zgjasë deri në vitin 2027, të ketë një ndikim global. “Konti” kishte 2 milionë anëtarë, në Serbi, Bosnje, Indi, Singapor. Tani nuk funksionon më askund. Dhe ne nuk kemi asnjë shpjegim. Unë nuk e di kush qëndron në majë të kësaj piramide, është hera e parë që hyj në një skemë të tillë piramidale, por përveç me bursën, nuk do isha marrë më me këtë”, thotë Dimkov.

Ai shton se nga “Konti” nuk është në humbje, por se shumë njerëz që u bashkëngjitën më vonë kanë humbur para.

“Edhe mua më janë bllokuar 15.000 dollarë në aplikacion. Por, ata që u bashkëngjitën kohëve të fundit dhe që kanë investuar shuma të mëdha kanë pësuar humbjen më të madhe. Tani dëgjova që  po hapet një aplikacion i ri dhe se për të do të përdoret zyra e “Konti”-t. Mendoj se është gabim, por këtu njerëzit me këmbëngulje investojnë në gjëra të tilla, të gjithë duan të jenë të parët”, thotë Dimkov, i cili pas shuarjes së “Konti” thotë se përballet me një numër të madh të kërcënimeve nga njerëzit që kanë humbur para.

Pagesat nga aplikacioni “Konti” u ndërprenë në orën 22:00 të hënën e kaluar, duke shkaktuar panik te një numër i madh i qytetarëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të shtunën tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim dhe shprehu “shqetësim për këtë lloj krimi piramidal, investues, financiar që nuk po ndodh për herë të parë në Maqedoni”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button