Të paktën 11 punonjës shëndetësor të vrarë në sulmet izraelite në Liban
Të paktën 11 punonjës të personelit mjekësor janë vrarë sot në një seri sulmesh ajrore izraelite që shënjestruan objektet shëndetësore në fshatrat Taybeh dhe Deir Seryan në rrethin Marjeyoun në Libanin jugor, transmeton Anadolu.
Siç raporton Agjencia Kombëtare Libaneze e Lajmeve, dhjetë të tjerë u plagosën në sulmet që goditën objektet e operuara nga Autoriteti Shëndetësor Islamik.
Në një incident tjetër, Mbrojtja Civile Libaneze raportoi vdekjen e një prej anëtarëve të saj dhe lëndime kritike të një tjetri gjatë sulmeve ajrore izraelite që goditën periferitë jugore të Bejrutit mbrëmë vonë.
Izraeli ka goditur Libanin që nga e hëna herët me sulme ajrore që kanë vrarë më shumë se 700 viktima dhe plagosur afro 2200, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë libaneze.
Ministria libaneze gjithashtu tha se numri i të vdekurve në Liban që nga tetori i kaluar është 1.540. Më herët në një njoftim, ushtria izraelite pretendoi se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ishte “likuiduar” gjatë një operacioni që shënjestroi komandën qendrore të Hezbollahut që ndodhej nën një ndërtesë banimi në periferitë jugore të Bejrutit.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, i cili ka vrarë të paktën 41.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e kthimit të konfliktit të Gazës në një luftë rajonale.