Fjolla Ramadani dhe Kolos Curri shkëlqyen në Qendrën Kulturore të RMV-së në Stamboll
Artistët e rinj, Fjolla Ramadani në flaut dhe Kolos Curri në piano, mbrëmë mbushën sallën me meloditë e bukura në sallën në Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Stamboll dhe rrëmbyen zemrat e të pranishmëve.
“Ishte e mahnitshme të shihje një shtëpi plot me dashamirës të muzikës klasike, miq të Stambollit dhe mbështetës të vërtetë. Prezenca juaj në Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut e bëri mbrëmjen të paharrueshme dhe ju falënderojmë nga zemra që jeni bashkuar me ne”, shkruajnë nga Qendra Kulturore e Maqedonisë së Veriut në Stamboll.
Nga kjo qendër njoftuan se kanë nisur zyrtarisht serinë e ngjarjeve kulturore të vjeshtës në Qendrën Kulturore të RMV-së në Stamboll, duke premtuar një sezon të gjallë të mbushur me muzikë, art dhe përvoja kulturore që festojnë krijimtarinë dhe lidhin dy vendet.
“Mezi presim t’ju shohim! Shihemi në ngjarjet tona të ardhshme – ky është vetëm fillimi!”, njoftojnë nga Qendra Kulturore e RMV-së në Stamboll.
Fjolla Ramadani është studente në Universitetin e Ankarasë në Fakultetin e arteve të bukura dhe të muzikës, kurse Kolos Curri është profesor në Shkollën e Mesme të Muzikës në Shkup “Ilija Nikollovski-Luj”. (alfax.mk)