Faza e re e Ligës së Kampionëve me 2.5 miliardë euro në Fondin shpërblyes

Të martën do të nis Liga e Kampionëve, me formatin e ri, ku parashihet gara kampionale, e jo në grupe siç ishte më parë. Tani janë 36 skuadra dhe jo 32 sa ishin më parë. Të gjitha 36 ekipet do të luajnë në formatin e ligës që përfundon në muajin janar dhe UEFA ka vendosur që nga e marta deri të enjten të luhen nga gjashtë ndeshje. Pra 18 gjithsej, ku përfshihen të gjitha 36 skuadrat.

Faza e ligës deri në janar është e thjeshtë. Secila skuadër do të luajë tetë ndeshje – katër në shtëpi, katër në udhëtim. Tetë skuadrat e para, më 29 janar avancojnë direkt në 1/8 e finales, ndeshjet e së cilave luhen në muajin mars. Ekipet nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t do të luajnë në raundin e plejofit, që është fazë para asaj të 1/8 së finales. Ndeshjet e plejofit zhvillohen në muajin shkurt. Ekipet nga vendi i nëntë deri në vendin e 16-të do ta kenë përparësinë e terrenit vendës në ndeshjen kthyese, ndaj skuadrave prej vendit të 17-të deri në atë të 24-t. 12 skuadrat e fundit në fazën e ligës do të eliminohen. Automatikisht caktohet edhe rruga deri në finale duke zëvendësuar sistemin e vjetër të shortit, që tërhiqej për çerekfinale dhe gjysmëfinale.

UEFA ka vënë të paktën 2.5 miliardë euro në fondin shpërblyes për 36 klube, që është 25 për qind më shumë se në sezonin e kaluar. Fituesi në Munih, më 31 maj, mund të fitojë më shumë se 160 milionë euro. Secila skuadër do të përfitojë shpërblimin bazë prej 18.6 milionë eurove, më pas 2.1 milionë euro për secilën fitore në fazën e ligës, dhe 700 mijë euro për barazim. Edhe pozita më e mirë në tabelë do të shpërblehet. 9.9 milionë euro do t’i fitojë skuadra që përfundon në vendin e parë në janar. Tjetër fond shpërblyes prej 853 milionë eurove ndahet në bazë të rekordeve të skuadrave në garat e UEFA-s dhe në bazë të marrëveshjeve të transmetimit kombëtar e global.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button