Vuçiq: Sulmi në Banjskë nuk është terrorizëm

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përgjatë adresimit të sotëm, është pyetur nga gazetarët edhe për aktakuzën e autoriteteve të Kosovës për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se organet serbe po e kryejnë hetimin e tyre, duke shtuar se EULEX-i nuk ia ka dorëzuar Beogradit të dhënat e kërkuara.

Vuçiq gjithashtu theksoi se për Serbinë rasti Banjska nuk është terrorizëm.

“Organet tona, që kanë të bëjnë me Banjskën, po zhvillojnë hetimet e tyre. Kjo për ne, sigurisht, nuk është terrorizëm… por nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, ka thënë Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Në atë sulm të kryer nga një grup i armatosur serb, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button