Mijëra njerëz marrin pjesë në funeralin e liderit të vrarë të Hamasit, Ismail Haniyeh

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e liderit të lartë të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran këtë të enjte.
Procesioni u mbajt në rrugët e kryeqytetit iranian, ku arkivoli i Haniyeh u transportua nëpër qytet me një automjet të zbukuruar.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, drejtoi lutjet e varrimit në Universitetin e Teheranit, ndërsa Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, qëndronte pranë tij.
Pas shërbimeve funerale në Teheran, eshtrat e Haniyeh pritet të transferohen në Katar për varrim, ku ai jetoi në mërgim prej vitesh.
Haniyeh udhëtoi për në Teheran për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të vendit, Pezeshkian. Ai u vra në një sulm ajror që goditi një banesë që përdorte në qytet.
Autoritetet iraniane thanë se sulmi është nën hetim, por nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme.
Sulmi erdhi vetëm disa orë pasi Izraeli shënjestroi një komandant të lartë të aleatit të Iranit Hezbollah në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Izraeli ishte zotuar të vriste Haniyeh dhe liderë të tjerë të Hamasit lidhur me sulmin e grupit më 7 tetor në jug të Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza. Irani ka paralajmëruar se do të hakmerret për vrasjen e Haniye.