Murtezani: Perceptimi është se ASHAM nuk ka qasje për komunitetet e tjera

Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për nismën e koalicionit “VLEN” për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, tha se ishte një premtim zgjedhor i koalicionit në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë tendencë apo provokim, por thjeshtë si një projekt i destinuar për një bashkësi të caktuar etnike.
“Bëhet fjalë për një projekt që duhet të krijojë një hapësirë të caktuar për zhvillimin e shkencës dhe kulturës. Megjithatë, mbetet të shihet se si mund të realizohet ai projekt, pra ai premtim [është në përputhje me ligjet”, deklaroi Murtezani.
Siç sqaruan kryetarët e koalicionit VLEN, thotë Murtezani, struktura aktuale e ASHAM-it jep perceptimin se etnia është faktori kyç për tu kyçur në atë forum, e jo ekspertiza dhe shkenca.
“Do të ndaj vetëm një pjesë të perceptimit të shumicës së shqiptarëve. Perceptimi është se në ASHAM nuk ka qasje për shkencëtarët nga bashkësitë e tjera etnike. Por, nuk kam informacion konkret sepse nuk punoj në ASHAM dhe nuk mund të pretendoj nëse është ashtu apo jo”, tha Murtezani.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë dje ka dalë me një deklaratë në të cilën ka theksuar se ASHAM ka qenë gjithmonë e hapur për të gjithë qytetarët që i plotësojnë kriteret e larta shkencore dhe artistike për anëtarësim, pa dallim përkatësie etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër.
Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski është i vendosur se ekziston Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, në kuadër të së cilës janë mbledhur shkencëtarë nga etni të ndryshme dhe duhet të punohet në drejtim të pasurimit të mendimit shkencor dhe në bashkim.



