Armando Sadiku zyrtarizohet tek ekipi i ri, nuk ndryshon kampionat
Tashmë është zyrtare: Armando Sadiku është futbollist i FC Goa-s në Indi. Sulmuesi nga Elbasani doli nënkampion sezonin e shkuar me Mohun Bagan po në kampionatin indian, por gjatë kësaj dritareje verore preferoi një përvojë të re.
Edicionin e shkuar, sulmuesi mori dy trofe me Mohun Bagan, duke qenë një element i rëndësishëm për skuadrën, ndonëse u mund në finalen e madhe të titullit në fazën play-off.
Sezonin e shkuar Sadiku shënoi 8 gola në kampionatin e rregullt, paraqitje që kanë bindur drejtuesit e Goa për t’i bërë një ofertë.
Me përfaqësuesen Sadiku ka luajtur 38 ndeshje e ka shënuar 12 gola, ndër të cilët veçohet ai në Euro2016 ndaj Rumanisë, që është dhe goli i parë i Shqipërisë në një kampionat Evropian.
Njoftimi i Goas
“FC Goa ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Armando Sadikut për sezonin e ardhshëm 2024-25. 33-vjeçari shqiptar është nënshkrimi i tretë i huaj i Klubit për këtë verë, pas ardhjes së mesfushorëve Iker Guarrotxena dhe Dejan Dražić…
Sadiku u shpreh i emocionuar për bashkimin me FC Goa, duke thënë:
“Jam i emocionuar që bashkohem me Goan, një ekip që e konsideroj si ndër më të mirët në Indi. Kam dëgjuar vetëm gjëra të mira për klubin dhe vendin nga të gjithë me të cilët kam folur.
Kundër Goas, sezonin e kaluar, kam përjetuar drejtpërdrejt cilësinë dhe organizimin e fortë në mbrojtje të ekipit. Pasi fola me trajnerin Manolo dhe CEO-n Ravi Puskur dhe kuptova planet e tyre për sezonin, u binda plotësisht. E njoh trajnerin Manolo nga koha e tij tek UD Las Palmas në Spanjë dhe besoj se mentaliteti i tij do të më përfitojë shumë këtë sezon.
Qëllimi im është të kontribuoj në çdo mënyrë të mundshme për të ndihmuar skuadrën të fitojë të gjithë trofetë për të cilët po konkurrojmë dhe të shënoj më shumë gola sesa kam bërë në sezonin tim të parë në Indi”, theksoi Sadiku.