Kina njofton arritjen e marrëveshjes mes Hamasit dhe Fatahut

Media shtetërore kineze njoftoi të martën se fraksionet rivale palestineze, Fatahu dhe Hamasi kanë nënshkruar një deklaratë me synimin për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve disavjeçare dhe për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar.
Në një postim në mediat sociale të rrjetit televiziv kinez ‘CGTN’ thuhej se marrëveshja u nënshkrua në Pekin, pas një forumi dyditor të organizuar nga ministri i Jashtëm Wang Yi.
Bisedimet përfshinin edhe 12 fraksione të tjera më të vogla palestineze.
Transmetuesi shtetëror kinez ‘CCTV’ nuk dha detaje të mëtejshme mbi marrëveshjen.
Bisedimet në Pekin kishin për qëllim krijimin e një udhërrëfyesi për Gazën e pasluftës, sapo të arrihet një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, që do t’i jepte fund luftës nëntë-mujore në Gazë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se qëllimi i vendit të tij është të shkatërrojë grupin e Hamasit. Ai është kundër çdo opsioni që grupi të ketë rol në administratën e Gazës të pas luftës.
Marrëveshja nënvizon ndikimin në rritje të Kinës në Lindjen e Mesme, pasi ka ndërmjetësuar një tjetër pakt paqeje mes Arabisë Saudite dhe Iranit.