O’Brien: Moszbatimi i marrëveshjeve Kosovë – Serbi, mundësi e humbur për palët

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, tha se moszbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë “është mundësi e humbur nga të dyja vendet”.
Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin X duke shpërndarë deklaratën e shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, pas përpjekjeve të së mërkurës për një takim të përbashkët me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që dështuan pasi Kosova refuzoi të marr pjesë dhe vendosi disa kushte për një takim trepalësh.
“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiç, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radojçiçit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, citoi zoti Borrell kushtete e zotit Kurti i cili nga ana e tij tha se bëhet fjalë për “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.