Kosovari tenton të japë ryshfet në “Bllacë”

Policia e Maqedonisë së Veriut ka kapur një kosovar 42 vjeçar duke dashur që të korruptojë policinë kufitare.
Gjatë kontrollit të pasaportës në kufi, kosovari ka futur para në dokumentet personale me qëllim që policët ta lëshojnë bashkëudhëtarin e tij 25 vjeçar nga Turqia të kalojë kufirin, edhe pse e kishte kaluar afatin për qëndrim të të huajve.
“Paratë i janë konfiskuar me vërtetim për sendet e konfiskuara dhe personi i është dorëzuar punonjësve të Policisë së Departamentit të Krimit Ndërkufitar, Migrimeve, të Huajve dhe Ripranimit në Qendrën Rajonale të Çështjeve Kufitare Veri. Po ashtu K.S është arrestuar dhe është mbajtur në komisariat për procedim të mëtejshëm. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, njofton policia e RMV.



