Armë “Made in Albania” brenda 2030, krijohet kompania “KAYO”

Mbi një muaj më parë gjatë përurimit të Qendrës së Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama vendosi si objektiv për vitin 2030 ringjalljen e industrisë ushtarake dhe nisjen e eksportit të armëve “Made in Albania”.
Qeveria duket tepër ambicizoe në këtë drejtim, saqë është hedhur për konsultim publik një projektligj që parashikon “krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake”.
Në nenin 1 të këtij ligji nënvizohet se ai ka për qëllim krijimin e shoqërisë shtetërore “KAYO” me fond fillestar 3 milionë euro, për prodhim, demilitarizim dhe tregimin e armëve e municioneve.
Deputeti i PS, Denis Deliu në “Ditari” i A2CNN ka thënë zbuluar se emri “KAYO” është zgjedhur nga Ministria e Mbrojtjes që është hartuese e projektligjit si më përfaqësuesi dhe tërheqësi për një subjekt që prodhon e shet armë.
“Me këtë emër do të ishte shumë më e lehtë. Ata që kanë hartuar ligjin kanë menduar që kompanitë e huaja të kërkojnë dhe klikojnë qoftë edhe në internet për të blerë armatime. Kanë menduar që ky lloj emri mund t’i japë sukses kompanisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare.”



