Franca i përgjigjet Rusisë, testoi të mërkurën raketën e parë me aftësi bërthamore

Franca ka kryer të mërkurën testimin e saj të parë të një rakete me aftësi bërthamore, një ditë pasi Rusia nisi stërvitjet ushtarake me armët me të njëjtën fuqi pranë kufirit të Ukrainës.
Lajmin për provën me raketën bërthamore franceze e bëri të ditur ministri I mbrojtjes, Sebastien Lecornu, i cili shpjegoi se pajisja luftarake e përditësuar quhet ASMPA-R dhe është e projektuar për t’u lëshuar nga avionët Rafale, ndërsa stërvitjet janë bërë brenda territorit të Francës.
Testi shënon një moment historik të rëndësishëm në rritjen e aftësive strategjike të raketave ajër-tokë të vendi, dhe nisja e suksesshme nënvizon angazhimin e vazhdueshëm për ruajtjen dhe avancimin e teknologjive të mbrojtjes kombëtare.
Ndërkohë qeveria e Macron po planifikon të shpenzojë rreth 13% të buxhetit të saj ushtarak gjatë viteve të ardhshme për aftësinë e pavarur bërthamore. Gjithashtu synohet përmirësimi i raketave të gjeneratës së ardhshme të lëshuara nga ajri deri në vitin 2035.
Më herët, Rusia kishte lajmëruar publikisht stërvitjet ushtarake me armë bërthamore taktike, si një mënyrë për të paralajmëruar vendet perëndimore, pas mbështetjes së tyre ushtarake për Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit u pa pjesërisht si një përgjigje ndaj Parisit, pasi presidenti Emmanuel Macron deklaroi se nuk do të përjashtonte dërgimin e trupave në Kiev. Tensionet mes Moskës dhe perëndimit janë rritur së tepërmi sidomos pas nisjes së luftës në shkurt 2022.



