Polonia do të ndërtojë mure mbrojtëse në kufirin lindor me Bjellorusinë

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka njoftuar se Polonia po fillon punën për forcimin e mëtejshëm të kufirit lindor, pasi vendi po përballet me atë që ai e quajti “luftë hibride” në rritje si shkak i migrimit të paligjshëm nga Bjellorusia.
Tusk nuk dha detaje në lidhje me veprimet e planifikuara, e as në lidhje me fondet që do të ndahen, por tha se “kur bëhet fjalë për sigurinë e Polonisë nuk do të ketë kufizime”.
“Kufiri Poloni-Bjellorusi është një vend unik për shkak të presionit të emigracionit të paligjshëm. Në fakt, kemi të bëjmë me një luftë hibride që po përparon”, tha kryeministri teksa vizitoi kufirin.
Edhe qeveria e mëparshme polake dhe BE-ja akuzuan Bjellorusinë në vitin 2021 për organizimin e një fluksi emigrantësh, gjë që u mohua nga bjellorusët.
Që atëherë, përpjekjet për të kaluar kufirin kanë vazhduar, me shifra të ndryshme varësisht prej motit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Rojet kufitare polake kanë raportuar se aktualisht ka rreth 300 përpjekje në ditë për ta kaluar kufirin ilegalisht.



