Misionarizmi për shtet “Petullat në ujë të Aliut”

Ndoshta në BDI nuk mund ta besojnë sa e shëndetshme do të jetë të kalojnë në opozitë dhe se ata do të jenë një opozitë e fuqishme e reformuar dhe konstruktive. Ruajtja e “status quo-së” do të thotë paaftësi e shqiptarëve për demokraci, për ndryshim dhe për integrim në djepin e demokracisë, që është Bashkimi Evropian.
Shkruan: Isamet Bakiu
U nis nga një kushtrim për bashkimin e trojeve shqiptare 2001 dhe përfundoi në një front për gjoja veprim multi-etnik për integrim në BE, ku i mblodhi të gjithë veteranët e politikës që s’lanë ofendim pa i thënë-njëri tjetrit, bile edhe mbahen mend për kërcënime për jetë. Asgjë e re! Orientim politik i një subjekti që nuk ka dallim nga orientimet për integrim të subjekteve tjera. Asnjë farë oferte politike për shqiptarët! Slogani “Jo Rusisë, po Evropës” është një petull në ujë e pa kripë. Gjithë rrugëtimi i Aliut, me shumë zik-zake, e humbi kohën e çmueshme për ta bërë entitetin shqiptar dhe për t’i bë shqiptarët të barabartë. As ai e as këshilltarët e tij nuk e kanë pasur atë vizion kombëtar. Letrën nacionaliste e aktivizon kur i rrezikohet pushteti, kërcënon me biskota dhe keksa, me garda për intervenim të shpejtë. Ndërsa, me konflikt ndëretnik përshpejtohet integrimi evropian. Përgjimet që dolën më parë argumentojnë për nivelin burrështetas të tyre. Plot 20 vite pushtet nuk arriti ta bëjë shqiptarin të ndjehet i barabartë. Me një politikë populiste dhe maskenballiste, ai i fuqizoi me pushtet shokët e tij, familjarët dhe përjashtoi shumë prej bashkëluftëtarëve. Ngelën duke brohoritur “UÇK, UÇK” ata tifozë të mjerë dhe kontrabandistë vizash, që dikur endeshin nëpër Çarshinë e Shkupit. Disa nga më të përkëdhelurit e tij herë i bëri kryetar parlamenti, së fundmi kryeministër teknik, kurse ata të cilët e kundërshtuan, i leçiti krejt.
Më të afërmit i pasuroi dhe tifozin e ngriti në nivelin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ai – si shpirt tifozi që është – bën gjeste fëmijërore nëpër media. Kjo politikë e krijoi një përshtypje tek fqinjët tanë, me të cilët Aliu shpesh bëri qeveri (si Gruevski), se shqiptarët e morën shtetin. Ishte kjo frikë e rrejshme, por një okazion i mirë. Ky “maskenball” e fuqizoi nacionalizmën tek fqinjët tanë, të cilët vrapuan ta ngrenë krenarinë e tyre, duke mbjellë frikën me të paqenën. Aliu as ua mori shtetin e as pushtetin. Ata të bllokut maqedonas me rëndësi i kishin buxhetet dhe lekët, si dhe përfitimin nga të hyrat publike. (Duhet një studim sa fituan financiarisht (në vlerë dhe përqindje) qytetarët shqiptarë në këtë rrugëtim politik që nga 1990.)
Në realitet Aliu nuk është ai që e bëri shqiptarin shtetformues. Me bajrakun e “misionarit për shtet”, ai e mban gjallë shtetin unitar. Kush do ia japë fëmijët e vet për një konflikt të brendshëm ndëretnik me fqinjët tanë, me të cilët vetë Aliu dëshiron të futet në qeveri? Por, nga ana tjetër, me “kukurrizmën në maje të plehut” ai i shërbeu në mënyrë të përsosur VMRO-së, që ta mobilizojnë votuesin e saj. VMRO-ja thirret në të bëmat e Aliut dhe kanoset se do ta burgosë atë dhe “40 hajdutët e tij”, kurse ai insiston dhe kërcënon të futet me të në qeveri, duke u thirrur në fitoren politike ndaj shqiptarëve. “Fituesi me fituesin.” Kush fiton këtu?
Ky sistem politik, që për 20 vjet e ka mbajtur Aliun në pushtet, nuk është asgjë tjetër, përveçse një bastore me votat e shqiptarëve. Po dolën kumbullat mirë, subjekti shqiptar mund të kushtëzojë për pak më shumë pushtet. Pak më shumë nga buxheti i shtetit, tenderë për familjarët, shokët miqtë dhe aktivistët politikë.
Tani ndodh që në anën tjetër të refuzohet Aliu për bashkëqeverisje, por ky insiston në rregulla të pashkruara. Ky s’ka ideologji. Për klanin e tij ai mund të hyjë edhe me socialdemokratët edhe me nacionalistët e djathtë maqedonas. Kjo është hipokrizia e tij. Ky vazhdon me petulla në ujë. Shqiptarët nuk i hanë më petullat në ujë. Ato nuk i hanë as fituesit në kampin maqedonas. Edhe ata duan ndryshim në bashkëqeverisje pa kushtëzime, por me gatishmëri për të bërë gjithçka në interes të qytetarit pa dallime etnike dhe fetare.
Unë e dua ndryshim dhe kam guxim ta votoj ndryshimin. Prandaj guxoni! Asnjëherë në jetë nuk është dhënë mundësia më e mirë. Nuk e keni idenë sa fuqi ka vota juaj e lirë. Voto dhe jepi mundësi ndryshimit. Ndryshimi vjen nga të dyja anët. Fundja, ia vlen të provohet! Maqedonia e Veriut është shtet demokratik dhe do të mbahen edhe zgjedhje të tjera. Me rëndësi që edhe te ne shqiptarët të fillojë të sillet rrota e demokracisë. Demokracia nuk është sistemi më i mirë, por nuk ka më të mirë në botë.
Në jetën time kam punuar për amerikanët, për europianët, për Kosovën dhe për shqiptarët. Tash e mbështes koalicionin VLEN pa asnjë përfitim dhe pa asnjë pritje personale. E mbështes vetëm sepse dua ta përcjell porosinë se shqiptarët po ngrihen në nivelin e kombit dhe se ata mund të bëhen shtetformues. Tani shqiptarët kanë krijuar dy forca politike sikurse fqinjët e tyre. Rrota e demokracisë do të sillet edhe për ta. Demokracia amerikane dhe europiane e pret ndryshimin. Populli ynë i përvuajtur e dëshiron dhe do ta bëjë këtë.
Ndoshta në BDI nuk mund ta besojnë sa e shëndetshme do të jetë të kalojnë në opozitë dhe se ata do të jenë një opozitë e fuqishme e reformuar dhe konstruktive. Ruajtja e “status quo-së” do të thotë paaftësi e shqiptarëve për demokraci, për ndryshim dhe për integrim në djepin e demokracisë, që është Bashkimi Evropian. Vazhdimi me frontin do të thotë se jemi në nivelin e klanit, fisit e jo të kombit. Vazhdimi në pushtet i Aliut me shokë është i dëmshëm në këtë rast për vetë ata. Ata duhet të gjejnë forcë dhe moral që të vazhdojnë misionin e tyre për shtet duke u reformuar. Ata kanë shans të mirë, të dalin në opozitë, t’i fitojnë komunat dhe të kushtëzojnë me vetëvendosje të brendshme. Me entitetin shqiptar. Nëse e kanë guximin. Me “bashkësi komunash – vetëvendosje të brendshme”, e jo me oferta për ta fuqizuar individin, vëllain, nipin, shokun dhe aktivistin.
Në të kundërtën, VLEN e ka më të lehtë të bëjë një zgjidhje territoriale, sepse e ka pushtetin në komunat më të mëdha shqiptare. Fundja, ne jemi këtu për ta bërë shqiptarin krenar. Kjo është detyra dhe misioni i subjekteve politike shqiptare.
Sille rrotën e demokracisë dhe bëje edhe shqiptarin krenar!
Voto 6! Ndrysho!



