Mjeku nga Shkupi është vrarë në tjetër vend dhe është sjellë në Zhelezarë!

Mjeku gjashtëdhjetë e shtatë vjeçar, i cili dy javë më parë u gjet i vrarë me thikë në një parking pranë poliklinikës “Zhelezara”, nuk u vra në makinën ku u gjet trupi i tij i pajetë, por u vendos aty pasi ishte vrarë në vend tjetër, ka thënë për “Slloboden Pechat” zëvendësministri shtesë i punëve të brendshme në qeverinë teknike, Mitko Bojmacaliev.
Ai nuk ka dashur të zbulojë më shumë detaje rreth gjetjeve të reja në mënyrë që, siç tha ai, të mos prishet hetimi i cili është ende në vijim dhe në kuadër të të cilit policia është ende duke punuar dhe duke mbledhur informacione nga terreni.
“Kolegët janë ende duke punuar, duke mbledhur informacionin nga terreni, janë mbledhur provat nga vetura që është gjetur, ku është gjetur personi dhe sipas njohurite tona dhe sipas asaj që është konstatuar deri më tani, mund të konfirmoj se personi nuk është vrarë në makinë, por është sjellë në makinë. Nuk do të mund të zbuloja më shumë për të mos prishur hetimet”, tha Bojmacaliev.
Për motivet e vrasjes, pra nëse kanë lidhje me profesionin e viktimës apo diçka tjetër, zëvendësministri shtesë deklaroi se ende nuk janë zbardhur plotësisht.
Trupi i pajetë i mjekut, siç njoftoi në atë kohë Ministria e Punëve të Brendshme, u gjet vonë në mbrëmjen e 21 marsit në makinën e tij Kia në parkingun përballë poliklinikës “Zhelezara”. Sipas informacioneve të policisë dhe Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, trupi i pajetë është gjetur nga anëtarët e familjes së tij të ngushtë të cilët kanë shkuar në kërkim të tij pasi nuk është kthyer nga puna në shtëpi.
Autoritetet hetimore deri në këtë moment nuk kanë asnjë informacion për të dyshuar të rinj të mundshëm në lidhje me vrasjen e mjekut 67-vjeçar, përveq tre personave që po hetohen.

