Dita Botërore e Veshkave, 1540 qytetarë të RMV në dializë

Maqedonia e Veriut vlerësohet se ka 1540 qytetarë me sëmundje kronike të veshkave, që janë në fazën përfundimtare të sëmundjes. Ndërsa në total, sëmundja është e pranishme në 10 për qind të popullsisë, raporton Alfax.
Dita Botërore e Veshkave shënohet çdo të enjte të dytë të muajit mars në më shumë se 150 vende të botës.
Ajo shënohet në RMV për herë të 19-të, nën kujdesin e Shoqatës Ndërkombëtare të Nefrologjisë (ISN) dhe Federatës Ndërkombëtare të Fondacioneve të Veshkave (IFKF).
Në aktivitetin e organizuar nga Shoqata “Nefron”, siç është paralajmëruar, përfaqësues nga institucionet do të drejtohen dhe do të mbajnë ligjërata me qëllim edukimin e anëtarëve, por edhe ndërgjegjësimin për parandalimin e sëmundjeve të veshkave, zbulimin e hershëm të tyre dhe gjetjen e mundësive për trajtimn e duhur dhe në kohë.
Sipas kryetarit të “Nefron”, Dushko Gjorgiev, përkundër progresit të arritur në qasje dhe përmirësimit të dukshëm të kushteve për trajtimin e dializës në vend, prioritet mbetet rritja e kujdesit parandalues dhe disponueshmëria e barnave të reja të përshtatshme për të gjithë pacientët.
Diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare sipas shoqatës “Nefron” llogariten si shkaktarët më të shpeshtë të dështimit të veshkave.
Është vlerësuar se sëmundja kronike e veshkave (CKD) prek më shumë se 850 milionë njerëz në mbarë botën.
– Sëmundja kronike e veshkave renditet e teta si shkaku kryesor i vdekjeve në botë dhe nëse nuk merren masa serioze, pritet të jetë shkaku i pestë kryesor i vdekjeve deri në vitin 2040.
Gjatë tre dekadave të fundit, përpjekjet për të trajtuar sëmundjen kronike të veshkave janë fokusuar në zhvillimin dhe zbatimin e terapive për të zëvendësuar funksionin e veshkave.
Deri në tre përqind të buxheteve të shëndetësisë në vendet shumë të zhvilluara shpenzohen për dializë dhe transplantim.
Megjithatë, 5 deri në 11 milionë njerëz vdesin nga sëmundjet e veshkave çdo vit, veçanërisht në vendet me një nivel të ulët zhvillimi, për shkak të mungesës së aksesit në terapinë e zëvendësimit të veshkave.Alfax.



