Biden dhe Trump përsëri do të masin forcat në zgjedhje
Presidenti amerikan Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump kanë siguruar nominimet partiake të martën në votimet paraprake, duke ia ofruar amerikanëve një rimeç në zgjedhje, e që shumë votues nuk e duan.
Nuk ka dyshime që zgjedhjet e nëntorit do të jenë të pazakonta në historinë e SHBA-së. Në moshën 81-vjeçare, Bideni tashmë është presidenti më i moshuar në histori, ndërsa Trumpi 77-vjeçar përballet me akuza për burgim disa dekadësh në katër raste të ndryshme. Rimeçi i tyre – i pari që vë përballë dy presidentë që nga viti 1912 – do të thellojë ndarjet më të mëdha politike e kulturore përgjatë tetë muajve të ardhshëm, shkruan Associated Press.
Bideni ka thënë se Trumpi po garon me fushatë hakmarrjeje dhe ndëshkuese dhe kërcënon “idenë e Amerikës”.
Trumpi në anën tjetër, me një video në rrjete sociale, ka festuar atë që e ka quajtur “ditë të madhe të fitores”.
“Por tani duhet të kthehemi në punë sepse kemi presidentin më të keq në historinë e shtetit tonë”, ka thënë Trumpi për Bidenin. “Andaj, nuk duhet të humbim kohë me festë. Do të festojmë pas tetë muajsh, kur të përfundojnë zgjedhjet”.
Para zgjedhjeve të ardhshme, Trumpi do të përballet me akuzat për përpjekje të përmbysjes së zgjedhjeve të 2020-s. Ai përballet edhe me akuza për dokumentet e klasifikuara dhe me pyetjet për planet politike e raportet me disa prej diktatorëve të botës.
Bideni, që në fund të mandatit të ardhshëm potencial do të ishte 86-vjeçar, po punon të sigurojë elektoratin se është në gjendje të mirë fizike e mendore për detyrën më të rëndësishme në botë. Votuesit e të dyja partive janë të pakënaqur me menaxhimin e çështjes së imigrimit dhe inflacionit. Ai përballet edhe me bazën e partisë së tij, për mënyrën se si nuk ka bërë përpjekje për të ndalur luftën e Izraelit ndaj Gazës.



