Xhaferi u thotë “JO” pesë universiteteve, përpos “Kirilit…”

Zgjidhja për pesë universitetet shtetërore që kërkojnë marrëveshje kolektive është të presin përfundimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, tha sot kryeministri teknik Talat Xhaferi.
Xhaferi thekson se aktualisht është pengesë fakti që janë shpallur zgjedhjet dhe sipas nenit 8a të Kodit Zgjedhor ndalohet rreptësisht nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive pas shpalljes së zgjedhjeve. Greva dhe protesta, thotë kryeministri, është një e drejtë e pacenueshme e çdo qytetari, por ai beson se në këtë moment presionet dhe kërkesat që vijnë nga sindikatat e pesë universiteteve shtetërore janë të natyrës politike.
“Momenti i një kërkese të tillë për realizimin e një të drejte të caktuar, duke ditur paraprakisht se për këtë ka pengesa ligjore, para së gjithash nga mbajtësit e protestës – kryetarët e sindikatave, të cilët për nga natyra duhet të jenë nga sfera e juristëve, po bëjnë veprime që nuk mund t’i kuptoj ndryshe, veç si një fushatë parazgjedhore që shkon më shumë në fushatën e politikës ditore, sesa vetë punonjësit dhe palët e interesuara që përfitojnë nga këto marrëveshje kolektive”, tha Xhaferi në një konferencë për media.
Në fjalë janë kërkesat për marrëveshje kolektive nga sindikatat e pesë universiteteve shtetërore: Universiteti i Tetovës, “St. Kliment Ohridski” në Manastir, “Goce Dellçev” në Shtip, “Sht. Apostulli Pal” në Ohër dhe “Nënë Tereza” në Shkup.
Sindikatat e tyre në periudhën e kaluar kërkuan pritje urgjente te kryeministri Xhaferi, si dhe u organizuan edhe protesta paqësore.
Kjo pasoi pasi në fund të vitit 2022, Universiteti “Kiril dhe Metodi” (UKIM) në Shkup nënshkroi një marrëveshje kolektive me Kuvendin, i cili ishte themelues i tij. Marrëveshja ka filluar të zbatohet nga fillimi i vitit 2024, me të cilën punonjësit kanë marrë paga të rritura me 22 për qind.
Xhaferi pohoi në konferencën për media se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje me iniciativën e tij si kryetar i Kuvendit është mbajtur një takim me përfaqësuesit e pesë universiteteve dhe një kopje të marrëveshjes me Kirilin ua ka dhënë atyre që ta dinë si duhet të duket përmbajtja, të përgatisin materiale dhe t’ia dorëzojnë Kuvendit.



