Mickoski me delegacion qeveritar në SHBA: Planifikohen takime në nivel të lartë

Kryeministri Hristijan Mickoski sot, me një delegacion qeveritar, niset për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Është parashikuar të ketë takime në Senat, Kongres dhe Departamentin e Shtetit, me përfaqësues të institucionit financiar DFC, me shtetarë dhe me organizata të ndikueshme think-tank.
Mickoski do të qëndrojë në Uashington, por do të marrë pjesë edhe në Asamblenë e këtij viti të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Siç informoi dje, deri tani nuk ka në plan takim me delegacionin bullgar.
– Në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të këtij viti, do të takohem me një numër të madh shtetarësh. Kemi tashmë takime të konfirmuara. Në parim u orientuam drejt fqinjësisë, natyrisht, këtu është ajo pritje, normalisht, nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të përpiqemi të kemi takime bilaterale edhe me vende nga Gjiri, ku vlerësojmë se duhet të ndërtojmë lidhje partneriteti të mira dhe solide. Përndryshe, sa i përket takimit me delegacionin bullgar, deri në këtë moment nuk kemi në plan një takim të tillë – theksoi kryeministri.
Në lidhje me takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që gjatë asambleve të përgjithshme zakonisht e organizon delegacioni i Bashkimit Evropian në Nju Jork, Mickoski, për kushtet e Bullgarisë për ndryshimin e Kushtetutës dhe për pozicionin e Maqedonisë për garancitë, përsëriti se kjo Qeveri udhëheq një politikë të qartë, pa bërë asnjë lëvizje spektakolare.
– Ne qëndrimet nuk i ndryshojmë instant ose nga nata në mëngjes, sepse kur ndërtojmë një qëndrim, ai është një proces që zgjat shumë. Anticiptojmë gjithçka që mundemi në atë moment, kështu që qëndrimet tona janë shumështresore, nuk janë qëndrime që i ndërtojmë ad hoc dhe pastaj i ndryshojmë sipas nevojës. Nuk bëjmë lëvizje të tilla spektakolare, udhëheqim një politikë të qartë, e cila ofron garanci në afat më të gjatë. Kjo është strategjia që ka kjo Qeveri. Përndryshe, një takim i tillë është i konfirmuar. Kush do të marrë pjesë – në varësi të nivelit – nëse janë shefa shtetesh ose kryetarë qeverish, natyrisht që do të jem unë, nëse është në nivel ministrash të jashtëm, atëherë ministri i punëve të jashtme do të jetë – tha Mickoski.



