Për dy muaj në Tetovë dhe Gostivar kapen 38 trafikues droge

Në dy muajt e fundit, janar dhe shkurt, në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit janë zbuluar dhe zbardhur plotësisht gjithsej 17 vepra penale, prej të cilave 10 në Tetovë dhe 7 në Gostivar, ku janë përfshirë 18 autorë, 11 nga Tetova dhe 7 nga Gostivari. Nga Sektori i Punëve të Brendshme -Tetovë, theksojnë se kanë konfiskuar më shumë se 3 kilogramë lëndë narkotike.
“Të gjitha veprat penale janë rrumbullakosur me kallëzim penal për ‘prodhim dhe tregtim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve’, nga neni 215 i Kodit Penal. Në këto vepra penale janë gjetë dhe konfiskuar më shumë se 3 kilogramë marijuanë, kokainë, përzierje marijuanë me duhan dhe bimë ‘kanabisi”, thonë nga SPB Tetovë.
Janë përgatitur edhe 12 kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse ndaj 15 autorëve, kryesisht për “përdorim të narkotikëve”. Gjatë kësaj periudhe gjithsej 38 personam (22 nga Tetova dhe 16 nga Gostivari) janë privuar nga liria për përfshirje në vepra penale apo kundërvajtje të tilla.



