Pse Maqedonia është pjesërisht e lirë?

Shkelja flagrante e të drejtave politike, mungesa e lirisë civile janë arsyet që Maqedonia mbetet “peng” prej më shumë se 18 vitesh i listës së vendeve “pjesërisht të lira” dhe me statusin e regjimit hibrid në tranzicion. Pikët që i jep raporti i Freedom House për Lirinë globale 2024, janë pak a shumë të ngjashme me vitet e kaluara, gjithsej janë 67 pikë, ku me më pak pikë janë vlerësuar “të drejtave politike”
Me oscilacione të vogla gjatë këtyre 18 viteve Maqedonia e Veriut nuk arrin të dalë nga kategoria e vendeve “pjesërisht të lira”. Madje ka rënë pak më poshtë. Raporti i Freedom House – Liria globale 2023 që jep vlerësime për qeverisjen kombëtare dhe lokale, procesin zgjedhor, median e pavarur, shoqërinë civile, kornizën gjyqësore e pavarësinë, si dhe korrupsionin, e rendit vendin në grupin e shteteve me liri të cunguar, së bashku me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Hungarinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Maksimumi i pikëve që ka marrë gjithsej janë 67 pikë. Ajo që vërehet nga raporti është se cenimi i “të drejtave politike” është i lartë, ku vendi ka marrë vetëm 29 pikë, ndërsa “liritë civile” janë vlerësuar pak më shumë, me 39 pikë. Freedom House po ashtu ka matur edhe nivelin e qeverisjes demokratike në 29 vende të kategorisë “Në tranzicion”.
Maqedonia ka grumbulluar gjithsej 48 pikë e renditur sërish mes vendeve të rajonit, si Serbi, Shqipëri, Mali i Zi. Po të bëhet një krahasim me vitet e kaluara “Liria” ka rënë me një pikë, krahasuar me raportin e kaluar kur ishte 68 nga maksimumi 100. Rënie më të madhe për dhjetë vitet e fundit nga shtetet e rajonit kanë Serbia e cila shënoi rënie prej 21 pikësh, si dhe Bosnje dhe Hercegovina me një rënie prej 10 pikësh. Liria globale vazhdoi të përkeqësohet në vitin 2023, ceket në raport. Manipulimet zgjedhore, luftërat dhe sulmet ndaj pluralizmit janë shtytësit kryesorë të rënies globale të lirisë, duke sjellë që thuajse 38 për qind e njerëzve në botë të jetojnë në vende të vlerësuara si jo të lira, 42 për qind jetojnë në vende pjesërisht të lira dhe vetëm 20 për qind jetojnë në vende të lira.
“Liria globale ka bërë hapa të mëdha prapa në vitin 2023. Në pjesën më të madhe të popullsisë globale do t’i mohohen liritë themelore në vitet në vijim, gjë që në fund do të ndikojë në paqen, prosperitetin dhe sigurinë”, thotë Majkëll Xhej Abramovic, kryetar i FH. Sipas Jana Gorohovskaja, bashkëautore e raportit dhe drejtoreshë kërkimore, ky vit do të jetë vendimtar për shoqëritë demokratike dhe përpjekjet e tyre për të çuar përpara kauzën e lirisë në mbarë botën. Në vende si Kamboxha, Guatemala, Polonia, Turqia dhe Zimbabve, presidentët aktualë janë përpjekur të kontrollojnë konkurrencën elektorale, të pengojnë kundërshtarët e tyre politik ose t’i pengojnë ata të marrin pushtetin pas ditës së zgjedhjeve.
“Liria në botë” përfshin rezultate dhe raporte të detajuara mbi të drejtat politike dhe liritë civile për 195 vende dhe 15 territore në mbarë botën. Evis HALILI (koha.mk)



