Albin Kurti: Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli, ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi. Gëzuar!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 28 Nëntorit ka kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë përmes një këndvështrimi historik, duke vënë në pah rolin e qindra telegrameve që u dërguan në qytetet shqiptare gjatë nëntorit të vitit 1912.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, Kurti ka theksuar se, përpara se flamuri të ngrihej në Vlorë, shpallja e pavarësisë ishte paraprirë nga një varg komunikimesh që koordinuan atdhetarët dhe përgatitën bashkimin e qyteteve shqiptare.

Ai rikujtoi telegramin e Ismail Qemalit, të dërguar nga Vjena më 9 nëntor 1912, ku thuhej: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.”

Sipas Kurtit, nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës u dërgoi një telegram kryetarëve të bashkive të rreth 30 qyteteve, nga Janina deri në Shkodër, duke u kërkuar të ruanin qetësinë dhe bashkimin deri në mbërritjen e Ismail Qemalit.

Kurti ka veçuar edhe rolin e zyrës telegrafike të Elbasanit, e cila më 18 nëntor përcolli mesazhe drejt disa qyteteve, përfshirë Strugën, Ohrin, Korçën, Dibrën dhe Manastirin. Ai e ka përshkruar këtë rrjet komunikimi si një prej mjeteve kryesore për koordinimin e përpjekjeve drejt shpalljes së pavarësisë.

Në shkrimin e tij, kryeministri i Kosovës ka sjellë edhe dëshmi nga ditët e fundit para 28 Nëntorit, kur presioni ushtarak ndaj popullsisë shqiptare vazhdonte. Ai ka përmendur një telegram të 25 nëntorit, të dërguar nga komandanti serb Simoviq nga Qukësi, në të cilin kërkohej dorëzimi i popullsisë së Ohrit dhe Strugës, duke paralajmëruar se 30 mijë ushtarë serbë ndodheshin në Ohër.

Kurti ka kujtuar gjithashtu se shpallja e pavarësisë nuk u kufizua vetëm në Vlorë. Sipas tij, Tirana e kishte ngritur flamurin kombëtar dhe shpallur pavarësinë dy ditë më herët, ndërsa të nesërmen të njëjtën gjë e kishin bërë Durrësi, Kavaja, Peqini dhe Lushnja.

Duke iu referuar momentit të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, ai ka përmendur telegramin e Lef Nosit, me porosinë “Ngrini-e sa mâ shpejt”, si dhe përgjigjen e Elbasanit: “Ndashti po e ngremë.”

Në përfundim, Kurti ka theksuar se pas shpalljes së pavarësisë qëndronin jo vetëm figurat e njohura historike, por edhe qindra njerëz të zakonshëm, telegrafistë, përfaqësues lokalë dhe atdhetarë që kontribuuan në organizimin e saj.

“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale”, ka shkruar Kurti, duke përfunduar mesazhin e tij me urimin: “Gëzuar!”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button