Bekim Sali nga Samiti në Tiranë: RMV ka siguruar 142,1 milionë euro përmes Planit të Rritjes

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve në Tiranë, ku në fokus të diskutimeve ishte zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë për integrim gradual të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Përmes një njoftimi, Sali bëri të ditur se Maqedonia e Veriut deri më tani ka siguruar 142,1 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, ndërsa 22 hapa reformues, me vlerë të vlerësuar bruto mbi 112 milionë euro, janë ende në pritje të vlerësimit nga Komisioni Evropian.
Ai theksoi gjithashtu përfitimet ekonomike nga përfshirja e vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke bërë të ditur se kursimet e vlerësuara për qytetarët dhe bizneset kanë tejkaluar 5 milionë euro.
Sipas Salit, Maqedonia e Veriut është e gatshme të angazhohet në dialog me Komisionin Evropian për të siguruar pjesëmarrje më të hershme në politikat, programet dhe strukturat e Bashkimit Evropian, në përputhje me kushtet përkatëse.
Megjithatë, zëvendëskryeministri nënvizoi se integrimi gradual nuk duhet të shihet si alternativë ndaj anëtarësimit të plotë në BE.
“Integrimi gradual duhet të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë, jo ta zëvendësojë atë”, theksoi Bekim Sali.



