Tirana mirëpret Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes të BE-së

Në Shqipëri po mbahet sot Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.
Në samitin me temë “Reforma, rritje, integrim – Drejt Evropës së bashku” që po mbahet në Pallatin e Brigadave në Tiranë marrin pjesë zyrtarë të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perënidmor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kanë pritur zyrtarët pjesëmarrës në samit, si komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, nënkryetarin e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Adem Mavriq, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Josip Bërkiq dhe zëvendëskryeministërin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq.
Në sesionin e hapjes së samitit, kryeministri Rama theksoi se takimi vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat përpara. Kryeministri Rama shtoi se nuk ka aspak dyshim që ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor.
“Është po kështu shumë vendimtar si moment për secilin prej vendeve të ulura rreth kësaj tryeze. Gjithashtu është një moment vendimtar për vetë Evropën. Ne jemi absolutisht entuziastë për nisjen e këtej procesi, që në një farë mënyrë vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual”, tha Rama.
Komisionerja Kos u shpreh se Plani i Rritjes u përpilua për të mbështetur reforma të rëndësishme nga të cilat përfitojnë qytetarët dhe ekonomitë.
“(Plani i Rritjes) ndihmon në përgatitjet për anëtarësimin në BE. Deri tani rezultate tuaja janë të ndryshme (sipas vendeve). Tre shtete kanë bërë një përparim të mirë për reformat dhe tre shtete të tjera nuk kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë që janë ofruar”, theksoi Kos.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, diskutimet priten të përqendrohen në përshpejtimin e reformave, zbatimin e Planit të Rritjes, prioritetet e reja strategjike dhe integrimin ekonomik të rajonit në Bashkimin Europian.
Samiti do të përmbyllet me konferencën e përbashkët për mediat të Kryeministrit Edi Rama dhe Komisioneres Marta Kos.



