Albanesse dënon vendimin e Kosta Rikës për t’ia ndaluar hyrjen në vend

Raportuesja e Posaçme e OKB-së, Francesca Albanese, dënoi vendimin e Kosta Rikës për t’ia ndaluar hyrjen në vend, duke hedhur poshtë akuzat për lidhje me terrorizmin dhe duke kërkuar që autoritetet t’i mbështesin pretendimet e tyre me prova ose të kërkojnë falje, transmeton Anadolu.

Albanese, raportuese e posaçme e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara palestineze, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar Juan Santamaria me ftesë të Universitetit të Kosta Rikës, i cili kishte planifikuar t’i akordonte asaj titullin e doktorit të nderit të premten.

Drejtori i Emigracionit i Kosta Rikës, Omer Badilla, tha në një deklaratë me video se autoritetet ia kishin ndaluar Albaneses hyrjen në vend për arsye të sigurisë kombëtare, duke përmendur një alarm të pretenduar ndërkombëtar për lidhje me akte terroriste.

Badilla nuk bëri të ditur se cila autoritet kishte lëshuar alarmin dhe as nuk paraqiti prova që mbështesnin akuzat.

Duke folur për median kostarikane Delfino.cr nga aeroporti, Albanese i hodhi poshtë kategorikisht akuzat.

“Duhet ta provojnë këtë ose ta tërheqin dhe të kërkojnë falje”, tha ajo, duke theksuar se qeveritë kanë të drejtë të rregullojnë hyrjen në territorin e tyre, por jo të shpifin për individët.

“Kjo është qesharake. As SHBA-ja nuk ka shkuar aq larg”, shtoi ajo.

Albanese akuzoi gjithashtu autoritetet e Kosta Rikës se po përpiqeshin ta kthenin me forcë në Francë, kundër vullnetit të saj.

Në një deklaratë, Universiteti i Kosta Rikës u bëri thirrje autoriteteve të emigracionit dhe Ministrisë së Jashtme që të sqarojnë bazën ligjore të vendimit të tyre dhe të sigurojnë që Albanese të trajtohet në mënyrë të përshtatshme si eksperte e OKB-së në mision, si dhe t’i garantohen procesi i rregullt ligjor.

Universiteti e cilësoi ndalimin e hyrjes si një çështje që ngre shqetësim serioz dhe kërkon një shpjegim publik, duke vënë në dukje angazhimin e kahershëm të Kosta Rikës ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe lirisë së mendimit.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosta Rikës nxori një vendim të përkohshëm që ndalon autoritetet ta largojnë me forcë Albanesen nga vendi, deri në marrjen e një vendimi lidhur me një kërkesë për habeas corpus të paraqitur në emër të saj, raportuan mediat lokale.

Gjykata urdhëroi gjithashtu zyrtarët e emigracionit që brenda 24 orëve të paraqesin një raport të betuar, ku të shpjegojnë veprimet e tyre.

Albanese, eksperte italiane e së drejtës, e emëruar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së në vitin 2022, ka qenë kritike e zëshme ndaj gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe trajtimit të palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Albaneses në korrik të vitit 2025 për shkak të bashkëpunimit të saj me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke shkaktuar kritika nga presidenti i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button