Presidenti sirian emëron ish-udhëheqësin e SDF-së në parlament

Presidenti i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, emëroi të enjten Ilham Ahmadin, ish-figurë e lartë e grupit terrorist të shpërbërë SDF, në Asamblenë Popullore të vendit, duke e çuar numrin e deputetëve në 206, transmeton Anadolu.
Sharaa nxori Dekretin Presidencial nr. 200 të vitit 2026, me të cilin emëroi Ilham Hanan Ahmadin për të plotësuar një vend të lirë të rezervuar për një anëtar të pavarur, sipas Agjencisë Arabe të Lajmeve të Sirisë (SANA).
Agjencia nuk dha detaje të tjera lidhur me emërimin.
Ahmad më parë ka mbajtur pozita të larta në kuadër të SDF-së, e cila për vite me radhë kontrollonte pjesë të mëdha të Sirisë verilindore, përpara se të njoftonte shpërbërjen dhe integrimin e plotë në institucionet shtetërore më 25 gusht 2026, në bazë të mirëkuptimeve të arritura me Damaskun.
Emërimi vjen në një kohë kur Siria vazhdon përpjekjet për përfundimin e formimit të Asamblesë së re Popullore, e cila nisi punën në korrik pas nxjerrjes së Dekretit Presidencial nr. 143 të vitit 2026, me të cilin u emëruan anëtarët e saj.
Sipas sistemit të përkohshëm zgjedhor të Sirisë, Asambleja ka 210 vende, ku dy të tretat e anëtarëve zgjidhen përmes organeve zgjedhore, ndërsa një e treta e mbetur emërohet nga presidenti.
Asambleja mbajti seancën e saj inauguruese më 12 korrik, duke shënuar fillimin e punës së legjislaturës së re gjatë periudhës së tranzicionit politik të vendit.
Autoritetet kalimtare po punojnë për krijimin e institucioneve të reja kushtetuese dhe politike pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit më 8 dhjetor 2024.