Instituti i Mjekësisë së Transfuzionit shënon 80-vjetorin, Amir Elezi: Tetë dekada përkushtim dhe humanizëm

Drejtori i Institutit të Mjekësisë së Transfuzionit, Amir Elezi, ka njoftuar për shënimin solemn të 80-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Në ceremoninë festive morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe shëndetësore, mes tyre zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Elezi ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes janë ndarë mirënjohje për dhuruesit e gjakut me numrin më të madh të dhurimeve, Kryqin e Kuq dhe institucionet partnere nga vendi dhe rajoni. Programi artistik u shoqërua me një performancë të maestros me famë botërore, Simon Trpçeski.

“Së bashku me miq, bashkëpunëtorë dhe të punësuarit e Institutit të Mjekësisë së Transfuzionit, kremtuam një jubile të rëndësishëm – 80-vjetorin e themelimit të Institutit, tetë dekada përkushtim, humanizëm dhe shërbim ndaj jetës.

Nderin e kësaj mbrëmjeje e shtuan me praninë e tyre Zëvendëskryeministri i Parë, z. Bekim Sali, ministri i Shëndetësisë, z. Sasho Klekovski, përfaqësues të bashkësive fetare, drejtorë, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore vendore dhe rajonale.

Gjatë mbrëmjes prezantova rrugëtimin historik të këtij institucioni, arritjet e realizuara ndër vite, si dhe vizionin tonë për të ardhmen e Mjekësisë së Transfuzionit.

Një pjesë e veçantë e ceremonisë iu kushtua ndarjes së mirënjohjeve për dhuruesit me numrin më të madh të dhurimeve të gjakut, Kryqin e Kuq për bashkëpunimin e vazhdueshëm në organizimin e aksioneve të dhurimit të gjakut, institutet e transfuzionit të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe institucionet vendore për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre.

Për atmosferën artistike të kësaj mbrëmjeje solemne u kujdes maestro me famë botërore, Simon Trpçeski, me një performancë të jashtëzakonshme që i dha edhe më shumë madhështi këtij jubileu.

80 vjet histori, përkushtim dhe humanizëm. 80 vjet në shërbim të jetës!

Urime 80-vjetori të gjithë punonjësve, dhe secilit që ndër vite ka dhënë kontribut në ndërtimin dhe suksesin e Institutit të Mjekësisë së Transfuzionit”, ka shkruar Amir Elezi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button