VLEN: Nga 100% maqedonisht, provimet profesionale tash edhe 100% shqip

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në një konferencë për media ka njoftuar se një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore në Maqedoninë e Veriut tash e tutje do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Mexhiti bëri të ditur se provimi për revizorë dhe auditorë të autorizuar shtetërorë tashmë mbahet në gjuhën shqipe, ndërsa mundësia për dhënien e provimeve në shqip është zgjeruar edhe në disa fusha të tjera profesionale.
“Provimi për revizorë/auditorë të autorizuar shtetërorë sot mbahet në gjuhën shqipe nga ana e Entit Shtetëror për Revizion”, deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, në gjuhën shqipe do të mund të zhvillohen edhe provimet për agjentët e sigurimeve, ekspertët për vlerësimin e ndikimit të projekteve në mjedis, si dhe provimet profesionale për ekspertët e vlerësimit strategjik të mjedisit jetësor.
Ai përmendi gjithashtu provimet për drejtorë, edukatorë, punëtorë dhe kujdestarë profesionalë në institucionet parashkollore, si dhe provimet profesionale për mjekët, stomatologët dhe motrat medicinale.
Mexhiti njoftoi se në kuadër të Ministrisë së Kulturës është themeluar edhe një njësi për përkthim dhe lektorim.
“Që nga ardhja në pushtet e VLEN-it, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë që provimet profesionale dhe procedurat e licencimit t’i zhvillojnë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk ka qenë kështu në të kaluarën”, u shpreh ai.
Bashkëkryetari i VLEN-it theksoi se për më shumë se 20 vite, nga viti 2002 deri në vitin 2024, provimet profesionale, licencimet dhe provimet shtetërore janë zhvilluar në gjuhën maqedonase, pavarësisht gjuhës në të cilën kandidatët kishin përfunduar studimet.
Ai tha se VLEN ka ndërmarrë hapa edhe për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke shtuar se studentët shqiptarë së shpejti do të kenë mundësi ta japin atë në gjuhën e tyre.
Mexhiti hodhi poshtë pretendimet për regres në përdorimin e gjuhës shqipe dhe për shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Në Maqedoninë e Veriut nuk po ndodh asnjëfarë regresi në drejtim të përdorimit të gjuhës shqipe. Përkundrazi, me ardhjen në pushtet dhe për më pak se dy vite qeverisje, VLEN jo vetëm se ka ruajtur zgjidhjet ekzistuese, por edhe ka avancuar zgjidhjet e munguara në drejtim të arritjes së barazisë gjuhësore”, deklaroi Mexhiti.
Ai kritikoi opozitën shqiptare, duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe përpjekje për të marrë meritat politike, ndërsa tha se këto rezultate janë dëshmi e angazhimit të VLEN-it për avancimin e të drejtave gjuhësore.
“Këto nuk janë vetëm ndryshime administrative. Këto janë mundësi të reja për qytetarët shqiptarë, për profesionistët e rinj dhe për të gjithë ata që duan të avancojnë në karrierën e tyre pa u përballur me barriera gjuhësore”, theksoi Mexhiti.
Në fund, ai u zotua se VLEN do të vazhdojë angazhimin për respektimin e gjuhës shqipe në çdo institucion dhe procedurë ku qytetarët shqiptarë ushtrojnë të drejtat e tyre.
“Ne nuk premtojmë. Ne veprojmë dhe sjellim rezultate”, përfundoi Mexhiti.



