Ministri kanadez i Mbrojtjes i përgjigjet Pentagonit: Jemi komb sovran, nuk i raportojmë SHBA-së

Ministri kanadez i Mbrojtjes, David McGuinty hodhi poshtë të martën kritikat e Pentagonit mbi shpenzimet ushtarake të Kanadasë, duke theksuar se Otava i merr vendimet e veta dhe nuk i jep llogari Washingtonit, transmeton Anadolu.
“Kanadaja është një komb sovran”, u tha McGuinty gazetarëve në Parlamentin Hill në Otava ndërsa mbërriti për një takim të kabinetit, sipas CTV News lokale.
“Do të jem shumë i drejtpërdrejtë: ne nuk raportojmë SHBA-së”, shtoi ai duke e bërë të qartë se Otava nuk do të diktohet nga fqinji i saj jugor për politikën e mbrojtjes.
Komentet e tij pasuan pasi Pentagoni publikoi një fletë informative të titulluar “Mungesat e Mbrojtjes Kanadeze”, e cila akuzon Kanadanë për vite të tëra për mosinvestim në forcat e saj të armatosura dhe paralajmëron se kjo ka dobësuar gatishmërinë ushtarake dhe minuar sigurinë e Amerikës së Veriut.
Dokumenti vuri në pikëpyetje aftësinë e Kanadasë për të përmbushur angazhimet e saj ndaj Komandës së Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) dhe NATO-s.
Në Samitin e NATO-s të vitit të kaluar, Kanadaja dhe anëtarët e tjerë të aleancës ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2035. Buxheti i fundit i Otavës përcakton plan të financuar për të arritur 4 për qind të PBB-së në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2030 dhe thotë se Kanadaja është në rrugën e duhur drejt objektivit prej 5 për qind deri në vitin 2035.
I pyetur për rrugën e Kanadasë drejt objektivit prej 5 për qind, McGuinty tha se qeveria ka rënë dakord të rishikojë angazhimin në vitin 2029. “Ne ramë dakord se do të rishikonim pesë përqindëshin në vitin 2029”, tha ai.
Zyrtari hodhi poshtë sugjerimet se bashkëpunimi i Kanadasë me aleatët e saj po ndryshon, duke këmbëngulur se angazhimet e saj ndaj NORAD dhe NATO-s mbetën të paprekura.



