Hakerët godasin institucionet amerikane, në shënjestër CIA, FBI, Pentagoni dhe infrastruktura kritike

Agjencitë qeveritare amerikane dhe kompanitë e sektorit privat janë përballur me një sërë sulmesh kibernetike dhe shkeljesh të të dhënave gjatë muajve të fundit, duke ekspozuar informacione të ndjeshme, ndërprerë operacionet dhe ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e sistemeve kritike, transmeton Anadolu.
Incidentet kanë prekur agjencitë e inteligjencës, bazat federale të të dhënave të zbatimit të ligjit, regjistrat e personelit ushtarak, sistemet e pagesave bujqësore dhe shërbimet e ujësjellësit, sipas raportimeve të mediave amerikane dhe deklaratave zyrtare.
Sistemet e inteligjencës të CIA-s dhe ODNI-së u komprometuan
Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) zbuluan qasje të paautorizuar në sistemet e përdorura për analizën e inteligjencës nga burimet e hapura (OSINT), sipas “The New York Times”.
Rrjetet përpunojnë informacione të disponueshme publikisht, përfshirë postimet në mediat sociale, faqet e internetit, imazhet satelitore dhe grupet e të dhënave të siguruara në mënyrë komerciale.
Shtrirja e plotë e ekspozimit dhe identiteti i përgjegjësve nuk janë përcaktuar publikisht. Zyrtarët thanë se informacionet e klasifikuara nuk ishin komprometuar ndërsa ODNI raportoi se nuk kishte pasur ndërprerje të kapaciteteve kritike ose të sistemeve të klasifikuara.
FBI përballet me disa incidente të sigurisë kibernetike
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) është përballur gjithashtu me disa incidente të sigurisë kibernetike.
Në shtator, byroja konfirmoi se po hetonte pretendimet e grupit të hakerëve “ShinyHunters” se kishte komprometuar portalin e rekrutimit FBIJobs.gov dhe kishte vjedhur të dhënat personale të punonjësve dhe personave që kishin aplikuar për punë.
Në nëntor, FBI u përball me shqyrtim pas raportimeve për një komprometim të mundshëm të Qendrës Kombëtare të Informacionit për Krimet (NCIC), një bazë të dhënash mbarëkombëtare që përdoret nga agjencitë e zbatimit të ligjit për të pasur qasje në informacione mbi personat në kërkim, personat e zhdukur, historikun kriminal dhe pronën e vjedhur.
Byroja kishte bërë të ditur më parë se në mars ishte konstatuar aktivitet i dyshimtë në një sistem të brendshëm që përmbante informacione lidhur me operacionet e mbikëqyrjes dhe hetimet.
Ekspozohen të dhënat e punonjësve të DHS-së dhe personelit të Pentagonit
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) pranoi një shkelje të mundshme të sigurisë pasi në tetor u publikuan në internet informacione që lidhen me më shumë se 40 mijë punonjës.
Të dhënat e zbuluara përfshinin emrat, numrat e telefonit, adresat e emailit, pozitat e punës dhe përkatësitë organizative të personelit nga Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave (ICE), Doganat dhe Mbrojtja e Kufirit (CBP), Hetimet e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA).
Veçmas, një shkelje e të dhënave që përfshinte Qendrën e të Dhënave për Fuqinë Punëtore të Mbrojtjes të Pentagonit (DMDC), e bërë publike në fund të shtatorit 2026, ekspozoi të dhënat e rreth 3,05 milionë personave të gjallë dhe të vdekur me lidhje me ushtrinë.
Sulmi kibernetik ndaj USDA-së ndërpret sistemet e pagesave për fermerët ndërsa shërbimet e ujësjellësit përballen me sulme
Departamenti amerikan i Bujqësisë (USDA) raportoi në nëntor një incident kibernetik që ndërpreu aplikacionet e brendshme, përfshirë sistemet e përdorura për administrimin e pagesave për fermerët dhe prodhuesit bujqësorë. Incidenti preku mjetet financiare të administruara nga Misioni i Prodhimit Bujqësor dhe Ruajtjes së Burimeve Natyrore të departamentit, i cili mbikëqyr pagesat bujqësore, huatë dhe programet e ruajtjes së mjedisit.
Zyrtarët e USDA-së thanë se departamenti ishte përballur me një kërcënim kibernetik dhe kishte ndërmarrë hapa për të siguruar sistemet e tij. Nënsekretari Richard Fordyce tha se nuk ishte humbur asnjë informacion personalisht i identifikueshëm ose të dhëna. Ndërkohë, infrastruktura amerikane e ujësjellësit dhe trajtimit të ujërave të ndotura u përball me sulme kibernetike në korrik, ku sipas raportimeve u shënjestruan më shumë se 100 sisteme të ekspozuara në internet.
Sulmet përfshinin kontrollues logjikë të programueshëm (PLC), pajisje që përdoren për të operuar dhe monitoruar pajisjet industriale në impiantet e ujit. Autoritetet amerikane thanë se sulmuesit kishin pasur qasje në sistemet e ekspozuara dhe kishin ndryshuar konfigurimet, duke ndërprerë funksionet e monitorimit dhe kontrollit. Disa ndërmarrje të ujësjellësit u detyruan të kalonin në operimin manual ndërsa pasojat e raportuara përfshinin probleme me presionin e ujit dhe përmbytje.
Një incident tjetër i lidhur me programet keqdashëse për zhvatje të të dhënave (ransomware) preku kompaninë Micro-Comm, një furnizues me bazë në Kansas i teknologjisë së përdorur nga ndërmarrjet e ujësjellësit. Grupi i hakerëve Barracuda mori përgjegjësinë për sulmin dhe sipas raportimeve publikoi koleksion të madh dosjesh të kompanisë. FBI konfirmoi se ishte në kontakt me kompaninë, e cila tha se sistemet operative të klientëve nuk ishin komprometuar.
Kompanitë private dhe institucionet kërkimore në shënjestër
Kompanitë private dhe institucionet kërkimore janë përballur gjithashtu me incidente të rëndësishme kibernetike. Kompania e teknologjisë mjekësore “Stryker” pësoi një ndërprerje të madhe të sistemeve të saj korporative në mars, pasi një sulm preku mjedisin e saj të bazuar në Microsoft, duke ndërprerë operacionet e biznesit dhe dërgesat.
Grupi i hakerëve “Handala”, i lidhur me Iranin, mori përgjegjësinë për sulmin, duke e cilësuar atë si hakmarrje për operacionet ushtarake amerikane dhe izraelite. Në gusht, autoritetet amerikane bënë të ditur një fushatë spiunazhi kibernetik të lidhur me shtetin kinez, që i atribuohej një grupi të identifikuar si QTFY.
Hetimi përshkroi sulme që shënjestronin agjenci qeveritare, kompani kontraktore të mbrojtjes, spitale, institucione kërkimore dhe ofrues të shërbimeve të telekomunikacionit. Ndër organizatat e identifikuara në lidhje me fushatën ishin Rezerva Federale, NASA, Senati i SHBA-së, Departamenti i Energjisë, Departamenti i Drejtësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.
Autoritetet theksuan se disa organizata ishin shënjestruar, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se sistemet e tyre ishin komprometuar.



