Daut Beqiri pas vetëm një viti mandat ka realizuar ose nisur 85% të plan-programit katërvjeçar

Një vit pas marrjes së drejtimit të Komunës së Haraçinës, kryetari Daut Beqiri ka nisur realizimin e një sërë projektesh që përfshijnë infrastrukturën, arsimin, sportin, ekonominë, sigurinë dhe shërbimet publike.

RITMI sjell një analizë të punës gjatë 12 muajve të parë të mandatit, duke krahasuar zotimet e evidentuara në plan-programin 2025–2029 me investimet dhe iniciativat e raportuara nga komuna.

Sipas një përllogaritjeje paraprake, rreth 85% e zotimeve të evidentuara janë realizuar ose kanë hyrë në proces të realizimit.

Tri projekte kapitale brenda vetëm një viti

Në mesin e investimeve më të mëdha të nisura gjatë vitit të parë të mandatit janë Qendra Sportive e Haraçinës, Mega Parku dhe Sheshi i Dëshmorëve.

Qendra Sportive e Haraçinës synon të krijojë kushte moderne për zhvillimin e sportit dhe për gjeneratat e reja të sportistëve.

Mega Parku i Haraçinës parasheh kënde lojërash për fëmijë, fusha sportive, pajisje për fitnes në ambient të hapur, shatërvanë, hapësira të gjelbra dhe shtigje për ecje e biçikleta.

Sheshi i Dëshmorëve, sheshi i parë në qendër të Haraçinës, do të krijojë një hapësirë të re publike, duke ruajtur njëkohësisht kujtimin dhe nderimin për dëshmorët.

Të tri projektet kanë hyrë në fazën e realizimit gjatë vitit të parë të mandatit katërvjeçar.

Investime në të gjithë territorin e komunës

Paralelisht me projektet kapitale, administrata e drejtuar nga Beqiri ka raportuar investime në infrastrukturën rrugore dhe komunale në Haraçinë, Orllancë dhe Grushinë.

Rregullimi dhe asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i trotuareve, hapja e rrugës përreth parkut, përmirësimi i ndriçimit publik, zgjerimi i kanalizimit fekal dhe rrjetit të ujësjellësit janë ndër ndërhyrjet e ndërmarra gjatë kësaj periudhe.

Vëmendje i është kushtuar edhe mbrojtjes së banorëve nga vërshimet, përmes rregullimit të shtretërve të lumenjve në Orllancë dhe Grushinë.

Haraçina drejt hapjes së një filiali bankar

Një tjetër zotim që ka hyrë në proces të realizimit është hapja e një filiali bankar në Komunën e Haraçinës.

Me fillimin e punimeve për këtë projekt, qytetarët dhe bizneset lokale janë një hap më afër mundësisë për të kryer shërbimet bankare brenda komunës, pa pasur nevojë të udhëtojnë në qytete të tjera.

Investime në arsim, çerdhe dhe zhvillimin e rinisë

Gjatë vitit të parë janë raportuar renovime në shkollat fillore “Abdyl Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Në çerdhen publike janë ndërmarrë hapa për punësimin e përhershëm të punonjësve, sigurimin e tyre shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve për përgatitjen e ushqimit për fëmijët.

Gjithashtu, është paraparë lirimi nga pagesa e çerdhes për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë me një prind.

Në fushën e rinisë janë paraparë 500 bursa për trajnime kompjuterike, ndërsa është themeluar Këshilli Lokal Rinor, si mekanizëm për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrjen lokale.

Projekte për një komunë më të pastër dhe moderne

Në fushën e ekologjisë është avancuar projekti për Qendrën e Selektimit të Mbeturinave, në bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Është funksionalizuar gjithashtu aplikacioni “NPK Ambienti”, përmes të cilit qytetarët mund të raportojnë drejtpërdrejt deponitë ilegale dhe parregullsitë komunale.

Në kuadër të modernizimit të administratës komunale janë përfshirë edhe trajnime për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave.

Përkujdesje institucionale për familjet e dëshmorëve

Një tjetër fushë e trajtuar gjatë mandatit të Beqirit është përkujdesja ndaj familjeve të dëshmorëve.

Komuna ka punuar në drejtim të shlyerjes së borxheve komunale të këtyre familjeve dhe lirimit të tyre nga pagesat e ardhshme, si formë e mbështetjes dhe mirënjohjes institucionale.

Siguria e qytetarëve dhe reagimi në raste emergjente

Gjatë vitit të parë është themeluar Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve, është vendosur në dispozicion një numër emergjent 24 orë në ditë dhe është punuar në përmirësimin e koordinimit për reagim në situata emergjente.

Këto iniciativa synojnë rritjen e kapaciteteve lokale për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës së tyre.

Shkëndija e Haraçinës në Ligën e Parë

Viti i parë i mandatit të Daut Beqirit përkon edhe me një arritje të rëndësishme për sportin lokal: ngjitjen e KF Shkëndija e Haraçinës në Ligën e Parë të futbollit.

Sipas pasqyrës së punëve të komunës, klubi ka gëzuar mbështetje financiare gjatë këtij rrugëtimi.

Krahas kësaj, është punuar në ndriçimin e stadiumit në Grushinë dhe në organizimin e aktiviteteve sportive për nxënësit dhe të rinjtë.

Projekte që nuk ishin pjesë e premtimeve zgjedhore

Puna e raportuar gjatë vitit të parë nuk kufizohet vetëm te zotimet e platformës.

Një nga projektet shtesë është rregullimi i hapësirës mbi dhe përgjatë mbulesës së kanalit, ndërmjet shkollave fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe “Abdyl Frashëri”.

Për këtë projekt tashmë është nënshkruar kontrata, ndërsa realizimi i tij parasheh:

  • Ndërtimin e shtigjeve për këmbësorë;
  • Ndërtimin e shtigjeve për biçikleta;
  • Krijimin e një shëtitoreje;
  • Rregullimin hortikulturor të hapësirës.

Projekti synon të krijojë kushte më të sigurta për mbi 2.000 nxënës, si dhe për banorët e kësaj zone.

Ky investim nuk ishte pjesë e zotimeve zgjedhore të Daut Beqirit dhe për këtë arsye nuk përfshihet në përllogaritjen e përqindjes së realizimit të platformës, por evidentohet si projekt shtesë i ndërmarrë gjatë mandatit.

Cilat zotime mbeten ende të pafilluara?

Nga zotimet e evidentuara në platformën e rishikuar, pesë grupe premtimesh mbeten ende të pafilluara:

  • Sigurimi i pediatrit, gjinekologut dhe laboratorit për analiza mjekësore;
  • Ndërtimi i shtigjeve për këmbësorë nga hyrja e Haraçinës;
  • Funksionalizimi i Zyrës për Mërgatën;
  • Hapja e Zyrës për Fermerët;
  • Krijimi i tregut lokal për fermerët.

Një e katërta e mandatit – bilanci i 12 muajve të parë

Pas vetëm 12 muajve nga mandati katërvjeçar, bilanci i raportuar përfshin tri projekte kapitale të nisura, investime infrastrukturore në disa vendbanime, shërbime të reja për qytetarët dhe projekte shtesë jashtë zotimeve zgjedhore.

Për të vlerësuar shkallën e përmbushjes së programit, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet projekteve të përfunduara dhe atyre që kanë hyrë në proces të realizimit.

Për transparencë ndaj lexuesve, RITMI publikon më poshtë edhe versionin e rishikuar të plan-programit të Daut Beqirit për Haraçinën 2025–2029, duke u mundësuar qytetarëve të krahasojnë zotimet me punët e raportuara gjatë vitit të parë të mandatit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button