Policia franceze proteston në Paris për shtesë më të lartë për rrezikshmërinë dhe kushte më të mira pune

Dhjetëra efektivë të policisë franceze protestuan sot para Ministrisë së Brendshme në Paris, duke kërkuar kushte më të mira pune dhe rritje të shtesës për rrezikshmëri, raportoi BFMTV, transmeton Anadolu.

Protesta në sheshin “Place Beauvau” u organizua nga sindikata “Alliance Police Nationale”, e cila ishte planifikuar të takohej me ministrin e Brendshëm, Laurent Nunez, më vonë gjatë paradites. Sindikata kërkon që shtesa për rrezikshmëri të rritet nga 28,8 për qind në të paktën 35 për qind.

Nunez propozoi që kjo shtesë të rritet gradualisht në 33,5 për qind deri në vitin 2029, me rritjen e parë në prill të vitit 2027. Sindikatat e policisë thanë se kjo ofertë nuk i përmbush kërkesat e tyre.

“Ne nuk do të presim pafundësisht për ta marrë këtë shtesë për rrezikshmëri, sepse puna nuk ka qenë kurrë kaq e vështirë”, tha Loic Travers, zëvendëssekretar i përgjithshëm i sindikatës.

Efektivët marshuan pas një pankarte me mbishkrimin “Republika, jemi ne!” dhe kënduan nën zë himnin kombëtar francez. Shtesa për rrezikshmëri llogaritet në pensionet e efektivëve të policisë kombëtare dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 2019.

Protesta vjen në një kohë kur raportohen shenja të rritjes së lodhjes mes efektivëve. BFMTV raportoi se njësia e policisë së trazirave CRS 8 nuk mundi të angazhohej në një protestë të martën, pasi të gjithë efektivët e saj kërkuan konsultime mjekësore. Sindikata e policisë “Un1te” përshkroi një “valë të madhe lodhjeje dhe zemërimi” mes anëtarëve të saj.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button