Joe Biden: Lot për izraelitët, heshtje totale për dhjetëra mijëra palestinezët e vrarë!

Arno Rosenfeld, Haaretz
Joe Biden është përshkruar shpesh si një nga figurat më të zymta të politikës amerikane, një njeri i shënjuar nga humbjet tragjike familjare, që e kanë bërë veçanërisht të ndjeshëm ndaj dhimbjes njerëzore.
Por, në librin e tij të ri me kujtime, “Promise Me, America”, kjo ndjeshmëri duket se ka një kufi të qartë. Ajo shtrihet deri te izraelitët, por pothuajse nuk arrin kurrë te palestinezët.
Biden rrëfen një videotelefonatë me Sigal Manzuri, një nënë amerikano-izraelite, e cila sapo kishte mësuar se vajza e saj, Norelle, ishte vrarë gjatë sulmit të 7 tetorit. Gruaja shpërtheu në ulërima dëshpërimi dhe ish-presidenti u përpoq ta ngushëllonte.
“E di që tani ndodheni në një gjendje dhimbjeje të papërfytyrueshme. Prandaj bërtisni. Mund të bërtisni sa të doni, drejtpërdrejt me mua. Nëse keni nevojë, do t’ju telefonoj përsëri nesër dhe mund të vazhdoni të bërtisni”, i tha ai.
Libri është i mbushur me episode të tilla, që tregojnë lidhjen emocionale të Biden me Izraelin. Ai e përshkruan këtë vend si një shoqëri të ndërtuar nga hebrenjtë e mbijetuar të Holokaustit, të cilët “u mblodhën nga e gjithë bota për të krijuar një shtet demokratik, duke dëshmuar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme”.
Por, nëse ish-presidenti ka ndonjë pendesë për vendimet e tij pas 7 tetorit apo për mbështetjen që i dha luftës izraelite në Gaza, kjo nuk duket në kujtimet e tij. Përkundrazi, ai përpiqet të justifikojë qëndrimin e administratës së tij, edhe kur pranon se Izraeli shkoi shumë larg.
Biden kujton se kishte kundërshtuar bllokadën e Gazës dhe kufizimin e ndihmave humanitare. “U thashë izraelitëve, pa lënë vend për keqkuptime, se nuk do ta mbështesja kurrë këtë taktikë dhe se pikat kufitare duhej të hapeshin”, shkruan ai.
Por vetëm pak fjali më vonë, përgjegjësinë për “vdekjen, shkatërrimin dhe privimet” e popullsisë së Gazës ia atribuon Hamasit. Sipas tij, organizata ishte vendosur prej dekadash në spitale, shkolla dhe lagje të banuara, duke e bërë të pamundur goditjen e saj pa vrarë edhe civilë.
Kjo mënyrë argumentimi shfaqet vazhdimisht në librin e ish-presidentit. Ai thotë se gjatë vizitës në Izrael, dhjetë ditë pas sulmit, u kërkoi drejtuesve të vendit të tregonin maturi dhe të vepronin me “saktësinë e një kirurgu”.
Megjithatë, në të njëjtin kapitull pranon se goditjet e kufizuara nuk do të mjaftonin për të mposhtur Hamasin dhe se ndërhyrja tokësore ishte e domosdoshme.
Biden e pranon gjithashtu se Izraeli po vriste shumë civilë që në ditët e para të luftës dhe se ai e dinte se numri i viktimave do të rritej. Ai e përshkruan Netanyahun si një kryeministër nën ndikimin e aleatëve të tij të ekstremit të djathtë, të gatshëm të gënjente për synimet e veta.
“U përpoqa vazhdimisht t’i përmbaja izraelitët”, shkruan Biden. Por shembujt që sjell, lidhen kryesisht me telefonatat dhe ndërhyrjet personale pranë Netanyahut, për të kufizuar viktimat civile dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare.
Ndërkohë, masa më konkrete e administratës amerikane, pezullimi i dërgesave të disa municioneve të rënda për Izraelin në pranverën e vitit 2024, përmendet vetëm kalimthi. Biden nuk analizon nëse ky vendim pati efekt apo nëse duhej të ishte marrë shumë më herët.
Ai e përmbledh qëndrimin e tij me dy deklarata që, megjithëse duken kontradiktore, në librin e tij bashkëjetojnë pa vështirësi: “Izraeli shkoi shumë larg. Nuk tregoi kujdesin e duhur për njerëzit e pafajshëm!”.
Por menjëherë shton: “Nuk do të pendohem kurrë që qëndrova në krah të Izraelit pas 7 tetorit!”. Ai thekson se do të vazhdojë të mbështesë furnizimin e këtij vendi me armë.
Këtu qëndron edhe një nga problemet kryesore të rrëfimit të tij. Biden pranon pasojat e rënda të luftës, por nuk vë në diskutim zgjedhjet politike që e ndihmuan atë të vazhdonte. Ai dëshiron një armëpushim më të hershëm dhe më pak viktima, por nuk shfaq pendesë për mbështetjen ushtarake që i dha qeverisë izraelite.
Kontrasti bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohen historitë që zgjedh të tregojë. Në kapitullin për 7 tetorin, Biden përmend me emër 11 izraelitë, ose 12 nëse përfshihet edhe Amos Hochstein, këshilltari i tij i lindur në Izrael.
Ai rrëfen me hollësi historinë e Abigail Edan, vajzës amerikano-izraelite që u rrëmbye nga Hamasi pasi pa prindërit e saj të vriteshin. Pas lirimit gjatë armëpushimit të nëntorit 2023, Abigail vizitoi Shtëpinë e Bardhë.
Biden kujton se si Brett McGurk, negociatori kryesor amerikan për pengjet, e shtyu vajzën në një lisharëse jashtë Zyrës Ovale. “Nuk mund ta përfytyroj thellësinë e dhimbjes dhe traumës që mbartte ajo vajzë e vogël. Por ishte e qartë se brenda saj kishte edhe një rezervë të jashtëzakonshme force. Në atë çast ajo po buzëqeshte. Dhe ne të gjithë po buzëqeshnim”, shkruan ai.
Për asnjë fëmijë palestinez nuk ka një rrëfim të ngjashëm. Asnjë fytyrë, asnjë histori, asnjë moment dhimbjeje që të mbetet në kujtesën e lexuesit.
Biden sugjeron se vuajtjet e pengjeve e prekën më shumë edhe sepse ata ishin shtetas amerikanë. Por nuk përmend palestinezo-amerikanët e vrarë në Bregun Perëndimor, mes tyre Tawfic Abdel Jabbarin, një 17-vjeçar amerikan që u vra nga një ushtar izraelit jashtë shërbimit, ndërsa udhëtonte me makinë.
Në fakt, i vetmi palestinez që Biden përmend me emër është Mahmoud Abbas, presidenti i Autoritetit Palestinez, të cilin e përshkruan si një udhëheqës pa frymëzim dhe të palëkundur në qëndrimet e tij.
Në fund, ish-presidenti e kujton arritjen e armëpushimit në javët e fundit të presidencës së tij si një moment triumfi. “Atmosfera ishte euforike!”, shkruan ai, duke kujtuar se kishte falënderuar ekipin e tij dhe cituar Ungjillin sipas Mateut: “Lum ata që bëjnë paqen”.
Por një libër që i kushton kaq shumë hapësirë dhimbjes së njërës palë dhe pothuajse asnjë rresht vuajtjeve të tjetrës, ngre një pyetje të pashmangshme: a mund të quhet paqe një përfundim ku viktimat palestineze mbeten vetëm një statistikë, ndërsa dhimbja e tyre nuk meriton as një histori? \tesheshi.com\



