Orhan Kurtishi: Postën e Maqedonisë e gjetëm me probleme të grumbulluara ndër vite

Drejtori i përgjithshëm i “Postës së Maqedonisë”, Orhan Kurtishi, ka deklaruar se institucioni që drejton është përballur me probleme të shumta të trashëguara ndër vite, si pasojë e mungesës së investimeve, mirëmbajtjes së pamjaftueshme dhe mosndjekjes së zhvillimeve në tregun postar.

I ftuar në podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Kurtishi tha se gjatë muajve të parë të mandatit është përballur me një situatë të vështirë, e cila ka kërkuar analizë të hollësishme dhe planifikim afatgjatë.

“Posta ka shumë problematika, duke filluar nga mosmirëmbajtja, mungesa e investimeve të rregullta dhe mosndjekja e trendeve në tregun postar. Kur vjen në krye të institucionit, e sheh se është grumbulluar një barrë shumë e madhe, të cilën duhet ta zgjidhësh hap pas hapi dhe jo përnjëherë”, deklaroi Kurtishi.

Sipas tij, gjashtëmujori i parë ka qenë periudha më sfiduese, pasi drejtuesit e rinj janë përqendruar në evidentimin e gjendjes reale të institucionit.

“Gjashtëmujorin e parë e kam pasur shumë të vështirë, sepse kemi bërë skanimin e gjendjes aktuale. Më pas kemi vendosur një plan strategjik, të cilin e kemi përmbyllur me një biznesplan se si duhet të ecim në pesëvjeçarin e ardhshëm”, theksoi ai.

Kurtishi u shpreh optimist për të ardhmen e ndërmarrjes, megjithëse pranoi se një pjesë e problemeve vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Ai tha se me mbështetjen e Qeverisë dhe mirëkuptimin e punonjësve, pret që reformat e nisura të japin rezultate konkrete dhe të përmirësojnë funksionimin e Postës së Maqedonisë. /tvfesta

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button