Kriza e industrisë së automobilave godet rëndë qytetet gjermane

Friedrichshafen, një qytet piktoresk në brigjet e liqenit të Konstancës, është ndër vendet në Gjermani ku kriza e industrisë së automobilave po ndihet më shumë. Për më shumë se një shekull, jeta e këtij qyteti ka qenë e lidhur ngushtë me kompaninë ZF Friedrichshafen, një nga furnizuesit kryesorë të transmisioneve dhe pjesëve të tjera të automobilave
Pak qytete gjermane po e ndiejnë krizën e industrisë së automobilave më shumë se Friedrichshafeni, një qytet piktoresk i vendosur në brigjet e liqenit të Konstancës. Për më shumë se një shekull, jeta në këtë qytet ka qenë e lidhur ngushtë me kompaninë ZF Friedrichshafen, një nga furnizuesit kryesorë të transmisioneve dhe pjesëve të tjera për automobila.
Ta quash një “qytet të kompanisë” nuk e përshkruan plotësisht këtë marrëdhënie.
Përmes një fondacioni, qyteti zotëron më shumë se 90 për qind të aksioneve të ZF-së, që është gjithashtu punëdhënësi më i madh në zonë. Në vitet e mira, fitimet e kompanisë i siguronin qytetit më shumë se 100 milionë euro të hyra në vit, të cilat përdoreshin për financimin e pishinave, kopshteve për fëmijë e madje edhe ndërtimin e një ure.
Por kjo periudhë e begatisë ka marrë fund.
ZF po përballet me një tronditje të madhe industriale, si pasojë e kalimit global drejt automjeteve elektrike dhe konkurrencës së ashpër nga prodhuesit kinezë të automobilave. Vitin e kaluar, kompania regjistroi humbje prej 2.1 miliardë eurosh, ose 2.3 miliardë dollarësh. Ajo po planifikon të shkurtojë deri në 14 mijë vende pune në Gjermani, rreth një të katërtën e fuqisë së saj punëtore në këtë vend.
Fitimet që ZF derdhte në fondacion ranë në vetëm 41 milionë euro vitin e kaluar, ndërsa këtë vit pritet të jenë zero. Paratë nuk pritet të fillojnë të rrjedhin sërish para fundit të dekadës, në rastin më të mirë.
Friedrichshafen, ku turistët shëtisin përgjatë brigjeve të liqenit që ndan Gjermaninë nga Zvicra, është detyruar të shkurtojë shërbime që shumë banorë i konsideronin të mirëqena. Vitin e kaluar, prindërit protestuan para bashkisë, pasi tarifat për kujdesin ndaj fëmijëve, të cilat financoheshin kryesisht nga fitimet e ZF-së, u rritën nga 158 në 450 euro në muaj.
“Dikur përfitonim shumë” nga fondacioni, tha Simon Blümcke, i cili është kryetar i bashkisë së Friedrichshafenit që nga viti 2024.
Në një intervistë, ai tha se paraardhësit e tij mund të përballonin edhe shoferë privatë.
Blümcke, i cili është gjithashtu anëtar i bordit mbikëqyrës të ZF-së, ka hequr dorë edhe nga ky privilegj, si dhe nga projekte të tjera, përfshirë një nënkalim hekurudhor që ishte planifikuar të ndërtohej.
“Tani”, shtoi ai, “po e rishikojmë tërësisht strategjinë tonë komunale”.
Thellimi i vështirësive ekonomike
Situata të ngjashme po ndodhin në të gjithë Gjermaninë. Është e pazakontë që një qytet të zotërojë një pjesë kaq të madhe të një kompanie, por nuk është e pazakontë që ekonomitë lokale të varen nga një prodhues i vetëm i madh.
Shtutgarti ka kompaninë Mercedes-Benz, e cila u ka kërkuar punëtorëve të bëjnë orë shtesë pa pagesë shtesë dhe muajin e kaluar paralajmëroi për rënie të fitimeve. Në këtë qytet ndodhet edhe Porsche, fitimet e së cilës pothuajse janë zhdukur. Mynihu ka kompaninë BMW, e cila planifikon të shkurtojë 20 për qind të pozitave drejtuese. Ndërsa qyteti i Wolfsburgut është i lidhur ngushtë me Volkswagenin, i cili po planifikon të shkurtojë deri në 100 mijë vende pune dhe mund të mbyllë katër fabrika në Gjermani.
Jashtë këtyre qyteteve të mëdha, qindra komunitete më të vogla varen nga kompanitë furnizuese, të cilat përbëjnë shtyllën e ekonomisë gjermane. Landi i Baden-Ëürttembergut, ku ndodhet edhe Friedrichshafeni, ka një përqendrim veçanërisht të madh të këtyre kompanive të specializuara të mesme, të njohura si “Mittelstand”.
Vështirësitë me të cilat po përballen Volkswagen, Mercedes dhe BMW po reflektohen edhe te furnizuesit si ZF. Sipas të dhënave zyrtare, numri i të punësuarve në prodhimin e automobilave në Gjermani ka rënë nga 834 mijë në vitin 2018, në 691.500 këtë vit. Ekspertët presin që kjo shifër të vazhdojë të bjerë.
Problemet e industrisë së automobilave po e thellojnë edhe më shumë gjendjen e përgjithshme të vështirë ekonomike, e cila ka nxitur mbështetjen popullore për partitë e ekstremit të djathtë. Në landin lindor të Saksonisë-Anhalt, partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është bërë forca më e madhe politike.
Në Friedrichshafen, mbështetja për AfD-në është frenuar deri diku nga fakti se partia ende nuk ka paraqitur një plan të qartë dhe bindës për industrinë e automobilave. Ajo kërkon promovimin e motorëve me djegie të brendshme, megjithëse gati gjysma e gjermanëve që regjistruan një automjet të ri në shtator zgjodhën një veturë elektrike ose hibride.
Megjithatë, në mars, AfD-ja e dyfishoi rezultatin e saj zgjedhor në Friedrichshafen, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke arritur në 20 për qind. Ajo u rendit pas kristiandemokratëve dhe të Gjelbërve, por para socialdemokratëve, të cilët tradicionalisht kanë mbrojtur interesat e punëtorëve.
Aksionari kryesor i ZF-së, me 94 për qind të aksioneve, është Fondacioni Zeppelin, një organizatë jofitimprurëse që përdor fitimet e kompanisë në të mirë të komunitetit.
Emri i fondacionit vjen nga Ferdinand, konti i Zeppelin-it, një gjeneral në pension që zhvilloi aeroplanët gjigantë të njohur me të njëjtin emër.
Pas një fluturimi testues në vitin 1908, i cili përfundoi në flakë, banorët e zonës mblodhën para për ta mbajtur gjallë projektin. Në shenjë mirënjohjeje, konti themeloi Fondacionin Zeppelin.
Megjithatë, kompania kishte filluar ndërkohë një veprimtari tjetër, duke prodhuar marshe për vetura dhe kamionë. Shkurtesa ZF vjen nga fjala gjermane Zahnradfabrik, që do të thotë “fabrikë marshesh”.
ZF është një nga furnizuesit më të mëdhenj të industrisë së automobilave në botë, e njohur për prodhimin e transmisioneve që ua shet BMW-së dhe kompanive të tjera.
Kompania është rritur deri në atë pikë sa është bërë një nga furnizuesit më të mëdhenj të automobilave në botë. Ajo ka 150 mijë punonjës në mbarë botën, përfshirë afro 9 mijë në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2018, Fondacioni Zeppelin i transferoi qytetit 192 milionë euro. Edhe pse formalisht i ndarë nga buxheti komunal, fondacioni financonte projekte që zakonisht mbulohen nga të ardhurat tatimore, përfshirë ndërtimin e një ure për këmbësorë mbi një autostradë.



