Eljesa Neziri: 57% e të punësuarve në institucionin që drejtoj janë shqiptarë – patriotizmi matet me vepra, jo me fjalë!

Drejtori i Entit Shtetëror të Pronësisë Industriale, Eljesa Neziri, ka reaguar ndaj kritikave dhe akuzave për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, duke bërë të ditur se në institucionin që drejton, përfaqësimi shqiptar arrin në 57 për qind.
Neziri ka theksuar se në punësimet institucionale nuk bën dallime etnike, por vlerëson profesionalizmin dhe meritën. Megjithatë, ai ka thënë se përballë, siç i quan, shpifjeve të vazhdueshme politike, shifrat duhet të bëhen publike.
“Për të gjithë ata që çdo ditë bëjnë patriotizëm me fjalë dhe shpifje: në institucionin që unë udhëheq, përfaqësimi i shqiptarëve është 57%!”, ka deklaruar Neziri.
Në reagimin e tij, ai ka vënë theksin te rezultatet konkrete, duke kundërshtuar atë që e cilëson si patriotizëm të bazuar vetëm në deklarata dhe parulla.
“Patriotizmi nuk matet me zhurmë e me parulla, por me vepra dhe me rezultate. E rezultatet flasin vetë!”, ka përfunduar Neziri.



